Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 20 vjet burgim Arbër Havollin për vrasjen në Llapashticë të Epërme të Podujevës. Aktgjykimi është shpallur sot, më 1 tetor.
Viktimë e këtij rasti ishte Bashkim Spahiu, i cili u vra më 6 shtator 2025.
Sipas aktakuzës së ngritur më 23 prill 2026, ngjarja kishte ndodhur rreth orës 19:30 në rrugën “Hysen Havolli”, përballë marketit “Havolli”. Viktima ndodhej në veturën e tij, skaj rrugës.
Prokuroria e ngarkonte Havollin se fillimisht i ishte afruar viktimës dhe kishte biseduar me të, e më pas kishte shtënë nëntë herë me armë në drejtim të tij, duke e privuar nga jeta.
Pas ngjarjes, Havolli ishte larguar dhe Policia e kishte shpallur në kërkim më 9 shtator 2025. Ai u arrestua më 23 tetor të atij viti, gjatë një operacioni policor në Prishtinë.
Në seancën fillestare të mbajtur më 13 maj 2026, Havolli nuk e kishte pranuar fajësinë për vrasjen, ndërsa ishte deklaruar fajtor për armëmbajtje pa leje. Ai kishte shprehur keqardhje për ngjarjen dhe i kishte kërkuar falje familjes së viktimës.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Alban Ajvazi, e kishte miratuar pranimin e fajësisë për armëmbajtjen, duke vlerësuar se përputhej me provat në dosje. Aktakuzën e kishte përfaqësuar prokurorja Bukurije Gjonbalaj, ndërsa mbrojtjen avokati Bekim Sfishta.
Në pikën për armëmbajtje pa leje, Prokuroria e ngarkonte Havollin për posedimin e një arme zjarri të prodhimit turk dhe një karikatori me 13 fishekë, të cilët ishin gjetur dhe konfiskuar nga Policia gjatë kontrollit.








