Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se në parim do ta mbështesë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, nëse për këtë arrihet konsensus brenda Grupit Parlamentar të LDK-së.
Kica-Xhelili tha se qëllimisht nuk ishte deklaruar më herët për kandidaturën, pasi Sejdiun e njeh prej vitesh në aspektin profesional, që nga koha kur ishte e angazhuar si avokate dhe kur kishte raste që kishin përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.
“Unë qëllimisht ende nuk jam deklaruar, meqë kam një prapavijë, le të themi, pak më ndryshe në raport me këtë kandidaturë, jo në kuptimin e saj negativ, natyrisht, sepse unë zotëri Sejdiun e kam njohur përmes angazhimit tim si avokate dhe asokohe natyrisht që kemi pasur lëndë të cilat kanë shkuar në Gjykatën Kushtetuese. Dhe njerëzit e profesionit e kuptojnë që, pavarësisht që respektohen të gjitha vendimet e gjykatave në Kosovë, janë disa vendime që ne zakonisht i cilësojmë si pak më cilësore se të tjerat, në kuptimin se si ato analizohen dhe shkruhen”, tha ajo.
Ajo theksoi se pikërisht për shkak të njohjes së gjatë profesionale me Sejdiun, vlerësimi i saj për kandidaturën është edhe më i drejtpërdrejtë.
Megjithatë, ajo tha se çështja kryesore mbetet arritja e një konsensusi politik, pasi për zgjedhjen e presidentit kërkohet shumicë dhe mbështetje e mjaftueshme në Kuvend.
“Tani se si do të arrijmë apo a do të arrijmë që ta arrijmë një konsensus politik, sepse ju e dini që në fund të ditës vota duhet të jetë unanime në rastin konkret nëse ne me të vërtetë prodhojmë një president të Republikës së Kosovës, vlerësoj që kemi shkaqe që ta shtyjmë përpara këtë kandidaturë. Vota ime në parim do të jetë ‘për’, nëse dakordohet edhe Grupi Parlamentar”, tha ajo.
E pyetur se si do të vepronte LDK-ja ndaj deputetëve që mund të mos e respektojnë vendimin e partisë për votën ndaj kandidatit për president, Kica-Xhelili tha se në këtë fazë nuk dëshiron të paragjykojë se dikush do të votojë kundër. Ajo shtoi se deri në momentin e votimit nuk mund të dihet me siguri se si do të votojë secili deputet.








