Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se 16 shtatori po afrohet dhe se me afrimin e kësaj date ndihet gjithnjë e më shumë pesha e saj.
Ajo ka thënë se në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke theksuar se barrën kryesore të këtij procesi prej vitesh e kanë bartur familjet e tyre.
Sipas Deliu-Kodrës, procesi ka prekur edhe bashkëluftëtarët, PDK-në dhe shoqërinë në Kosovë.
“Nuk e dimë çfarë do të sjellë ajo ditë, por e dimë se pas saj shumëçka nuk do të jetë njësoj”, ka deklaruar ajo.
Deliu-Kodra ka vlerësuar se Kosova po i afrohet këtij momenti të ndjeshëm pa institucione të konsoliduara, me Kuvend jofunksional dhe në një krizë të vazhdueshme politike.
Ajo ka kërkuar që në një periudhë të tillë shteti të ketë institucione funksionale, përgjegjësi dhe maturi, si dhe një zë institucional që, sipas saj, ta përfaqësojë Kosovën me dinjitet.
Postimi i saj i plotë:
“Pas 16 shtatorit, as Kosova dhe as PDK-ja nuk do të jenë krejt të njëjta”, ka thënë Deliu-Kodra.16 shtatori po afrohet dhe, sa më shumë afrohet, aq më shumë e ndiejmë peshën e asaj date.
Në Hagë do të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Prej vitesh, barrën më të rëndë të këtij procesi e kanë bartur familjet e tyre, por ai ka prekur edhe shumë më gjerë: bashkëluftëtarët, PDK-në dhe gjithë Kosovën.
Nuk e dimë çfarë do të sjellë ajo ditë, por e dimë se pas saj shumëçka nuk do të jetë njësoj. Kosova po shkon drejt një momenti kaq të ndjeshëm pa institucione të konsoliduara, me Kuvend jofunksional dhe me një krizë politike që po vazhdon.
Në ditë të tilla, shteti duhet të jetë aty. Duhet të ketë institucione që funksionojnë, përgjegjësi, maturi dhe një zë që e përfaqëson Kosovën me dinjitet.
Pas 16 shtatorit, as Kosova dhe as PDK-ja nuk do të jenë krejt të njëjta.
Prandaj kemi nevojë për institucione. Jo nesër. Sot.








