I akuzuari për spiunazh nga Prokuroria Speciale, Fatmir Sheholli, rezulton se ka mbajtur kontakte edhe me Milan Radoiçiqin, të dyshuarin për organzimin e sulmit në Banjskë në shtator të vitit 2023.
Prokuroria Speciale ka ngritur të hënën aktakuzë ndaj Shehollit nën dyshimet për spiunazh dhe shantazh.
Në aktakuzën prej 80 faqeve, të cilën e ka siguruar Paparaci, janë shfaqur të dhëna lidhur me veprimtarinë e Sheholli ndër vite.
Gjatë urdhërkontrollit për bastisje në shtëpinë e tij, Policia e Kosovës ka gjetur edhe një bisedë mes Shehollit dhe kryeterroristit Milan Radoiçiq.
Sipas dosjes së Prokurorisë biseda thuhet se është zhvilluar në zyrën e kryeterroristit Milan Radoiçiq, e cila gjendej afër restoranit “Grej” në veri të Mitrovicës, ndërsa sipas transkriptës në këtë bisedë Sheholli ia ka konfirmuar Radoiçiqit se punon për Shërbimin Informativ të Serbisë – BIA.
“Transkripti i bisedes te Fatmir Shehollit me Millan Rajdojqiq ne zyren e Radojqiqit afer restoranit “Grej” ne veri te Mitrovices”, dëshmi këto të sekuestruara gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit Fatmir Sheholli, konfirmojn një bisedë e transkriptuar ku rezulton se i pandehuri gjatë takimit dhe bisedës me Milan Radojçiq vërtetohet se i pandehuri ka punuar dhe ka dhënë informacione tek zyrtari i BIA-s me emrin Ljuba (Lubisha Bukviqzyrtar i BIA-s)”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Sipas aktit akuzues, Radoiçiq ka insistuar të marrë informacione nga Sheholli lidhur me takimet e tij me Ljubishën – zyrtarin e BIA-së dhe se sa para ia ka dhënë Sheholli atij.
Megjithatë, përgjigja e Shehollit konfirmonte pozitën e tij në shërbimin serb.
“O dost nuk ka punuar ai për mua, unë kam punuar per të, mos ja fut kot”, i kishte thënë Sheholli Radoiçiqit.
Fatmir Sheholli dyshohet se vepronte nën urdhrat e Bojan Dimiqit, zyrtarit të lartë të shërbimit inteligjent serb (BIA).
Ndërkaq përpos spiunazhit ndaj tij rëndon edhe akuza për shantazh, pasi që sipas Prokurorisë ai ka shantazhuar pronarin e kompanisë “ABC”, Arben Jetullahu.








