Babai ia uron ditëlindjen vajzës që humbi jetën në aksidentin në Komoran: Të qoftë e mbarë rruga në shtegun tënd qiellor

Rea Raka, e cila vdiq më 21 korrik të këtij viti pas një aksidenti në Komoran, sot do të festonte ditëlindjen e saj të 24-të.

Babai i saj, Petrit Raka, përmes një postimi emocionues në Facebook, i ka uruar vajzës së tij të ndjerë ditëlindjen.

“Për Rean, engjëllin tonë! Ishte 25 gusht 2002, kur ti, Engjëlli ynë, erdhe në këtë botë. Ne patëm fatin e madh të të kishim pjesë të familjes sonë të re. Të quajtëm Rea. Që në çastin kur hape sytë e tu të mëdhenj e të zinj, në jetën tonë filloi të rrezatojë një ndjenjë e panjohur më parë. Ishte hera e parë që zemrat tona njohën dhe mësuan të përjetojnë dashurinë, një dashuri të pastër e cila rritej për çdo ditë. Shpirti yt i bardhë na mësoi shumëçka: urtësinë, mençurinë, mirësinë dhe mbi të gjitha, dashurinë. Ishin këto virtyte që të karakterizonin dhe për të cilat shumëkush të kishte zili. E dimë se kjo botë, me gjithë egërsinë dhe padrejtësitë e saj, nuk është krijuar për engjëjt. Sot duhej të ishte ditëlindja jote e 24-t. Duhej të të uronim edhe një vit tjetër jetë, të të përqafonim, të qeshnim me ty dhe të festonim bashkërisht. Por sot, në vend të urimit, po të shkruajmë një falënderim”, ka shkruar ai.

Doktori Raka përmes këtij dedikimi e falënderoi vajzën e tij për të gjitha momentet dhe dashurinë që ia fali familjes së tyre.

“Faleminderit, Rea, engjëll që patëm fatin të të quajmë vajza jonë. Faleminderit Rea, që qëndrove këto vite pranë nesh. Faleminderit Rea që na dhe privilegjin të të kishim pranë, të të donim dhe të shijonim çdo çast me ty. Çdo kujtim me ty është një pjesë e jona. Çdo buzëqeshje, çdo fjalë, çdo çast i kaluar pranë teje do të mbetet përgjithmonë i gjallë në zemrat tona të thyera”.

“Nuk do të të themi lamtumirë, edhe pse nuk do të mund t’i lëmojmë flokët, të të puthim në ballë e faqe. Ti nuk je larguar prej nesh. Je vetëm larg syve tanë. Nga mendja dhe zemra jonë nuk do të largohesh kurrë. Do të jetosh gjithmonë në kujtimet tona, në dashurinë tonë dhe në çdo rrahje të zemrave tona. Të qoftë e mbarë rruga në shtegun tënd qiellor, Engjëlli ynë. Gëzuar ditëlindjen në qiell, Rea. Të duam. Sot, nesër dhe përgjithmonë”, ka përfunduar shkrimin Raka.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit