Fatmir Sheholli koordinohej nga paraburgimi me dy djemtë e tij, Alor dhe Imer Shehollin, që të shantazhonte biznesmenin Arben Jetullahu.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale të cilën e ka siguruar Paparaci, Sheholli e shantazhonte biznesmenin nga Podujeva që prej vitit 2022.
Ai dyshohet se posedonte një audio-incizim kundër Jetullahut.
Përmes këtij audio-incizimi që ia prekte nderin e reputacionin afaristit që merret me ndërtim, Sheholli e shantazhonte atë me 13 mijë euro. Në të kundërtetën e kishte paralajmëruar se do t’ia publikonte audio-incizimin në media.
Nga paraburgimi, gjatë vizitave familjare të bashkëshortes dhe dy djemve të tij, Sheholli komunikonte indirekt me biznesmenin Jetullahu duke e kërcënuar dhe shantazhuar për të njëjtin audio-incizim.
Sipas bisedave të përgjuara në burgun e Gjilanit, ku ndodhej në paraburgim, Sheholli udhëzonte djemtë e tij, Alor dhe Imer Shehollin, që përmes një personi të identifikuar me emrin “Lorik”, të binin në kontakt me Jetullahun.
Fatmiri: duhet mi thirr ata eeee. Mi thirr Lorikun… vazhdimisht mos e le kete pune ashtu… Se edhe une kur jom kon jasht… qishtuuu u kon, se qishtu jan ata… Pa jau bo qishtu
Imeri: ani de une, sot mka thon qe sot ka mu taku se nuk u kon ksajde
Alori: Bablok une po ju thom bonju presion kapak, ky po thot une ss….
Fatmiri: mire de… edhe ju tregon qe ni video thuj qe ja ki qu nihere e qe e keni shantazhu thuj… Baba thuj, Arbeni e din qysh e ka shantazhu Fatmirin, kur ma ka pru ni video me ma kallxu aj, e din aj kush ja ka dhon… Thuj aj ska fol per kete pune, pooo nese flet thuj, ta dish qe puna osht koxhaa…
Kjo bisedë ishte përgjuar në dhjetorin e vitit 2025, gjatë një vizite të bashkëshortes dhe dy djemve të Shehollit në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.
Në një tjetër vizitë, në janarin e vitit 2026, Sheholli udhëzon djalin, Imerin, që të shkojë te Nazmija, të cilin e identifikon si “vëllai i Hashimit”. Dyshohet se bëhet fjalë për Nazmi Thaçin, vëllain e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Në dosjen e Prokurorisë dëshmohet se Sheholli i thotë djalit, Imerit, që të shkojë te Nazmiu në mënyrë që t’ia dërgoi një porosi viktimës së tij, biznesmenit Jetullahu. Sipas të dhënave që ka siguruar Paparaci, Idriz Thaçi, vëllai tjetër i ish-presidentit Thaçi, është ortak me Arben Jetullahun në një biznes në Mal të Zi.
Fatmiri: a u lajmeru Loriku a?
Imeri: ncuk
Fatmiri: ndegjom, shkon te Nazmija
Imeri: Kush osht Nazmija?
Fatmiri: Vllavi i Hashimit
Imeri: ku osht aj?
Fatmiri: perball shpis tina atje, perball ne Çagllavic
Imeri: poooo?
Fatmiri: edhe ne te thirr ne telefon Arbenin edhe ne ti thot kqyr mos e le djalin qishtu qishtu. Qe tek stu lajmru deri tash aj ja ka nis me (nuk kuptohet). A po kupton?
Imeri: u kry
Fatmiri: qaty perball, veq shkon
Alori: e di une ku osht shpija e tina
Fatmiri: tani del perjasht dikun me ta edhe i thu… se po ju percjell kush a najsan.
Në dosjen e Prokurorisë Speciale, nuk vërtetohet nëse djemtë e Shehollit e realizojnë takimin me personin me emrin “Nazmi”, e që Sheholli e identifikon si “vëllai i Hashimit”.
Sheholli përballet me dy akuza: spiunazh dhe shantazh.
Prokuroria Speciale e akuzon atë për spiunazh për BIA-n serbe dhe për shantazh ndaj biznesmenit Arben Jetullahu.








