Hetime, dëshmi dhe një dosje prej 80 faqesh shpërfaqin dyshimet për përfshirjen e thellë të Fatmir Shehollit në spiunazh dhe shantazh.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale të cilën e ka siguruar Paparaci, Fatmir Sheholli dyshohet se vepronte nën urdhrat e Bojan Dimiqit, zyrtarit të lartë të shërbimit inteligjent serb (BIA). Dyshohet edhe për shantazhin e një biznesmeni nga Podujeva.
Për këto veprime, ai akuzohet për veprat penale të “spiunazhit” dhe “shantazhit”.
Në shtatorin e vitit 2025, Sheholli dyshohet se pranoi një material nga BIA, i cili synonte ndërhyrjen direkte në zgjedhjet e 12 tetorit të vitit të kaluar, sipas dosjes së Prokurorisë Speciale.
Materiali përmbante audio dhe transkripta bisedash të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim që udhëhiqej nga ministri Nenad Rashiq.
Sheholli pranoi pesë mijë euro të holla për zbatimin e udhëzimeve të zyrtarëve të BIA-s, bazuar në dosjen e Prokurorisë.
Materialet ia dorëzoi gazetarit Milaim Zeka, bashkë me një mijë euro.
“[…] në atë mënyrë që më datë. 26.09.2025, rreth orës 14:00, i shoqëruar nga një anëtar i familjes së tij, dhe duke përdorur automjetin e markës “Audi”, ka udhëtuar për në Mitrovicën e Veriut, dhe në parkingun e Shkollës Teknike, në afërsi të kafiterisë “Sindikata”, nga një person i paidentifikuar ka pranuar materiale me përmbajtje audio dhe transkripte bisedash të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, të destinuara për komprometimin e tyre, si dhe shumën prej 5,000.00 euro si shpërblimi për kryerjen e kësaj detyre”, thuhet në aktakuzë.
“I cili pastaj në zbatim të udhëzimeve të marra nga zyrtari i BIA-së, materialet ia ka dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, së bashku me shumën prej 1,000.00 euro, duke e udhëzuar njëkohësisht edhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin e tij “Pa Rrotlla”, dhe atë vetëm disa ditë para ditës së votimit për zgjedhjet lokale, çka përmes këtyre veprimeve konkrete të ndërmarra në funksion të detyrave të caktuara nga BIA, i pandehuri Sheholli, ka dëmtuar seriozisht interesat shtetërore, diskreditimin e institucioneve dhe zyrtarëve të tyre, ka kontribuar në thellimin e përçarjeve shoqërore, si dhe ka mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të një shërbimi të huaj informativ në një proces zgjedhor në Republikën e Kosovës”, thuhet në dosje.
Sheholli dyshohet edhe për veprën penale të shantazhit.
Viktimë e tij dyshohet se ishte biznesmeni nga Podujeva, Arben Jetullahu, pronar i kompanisë “ABC” e cila në të kaluarën kishte bashkëpunuar me kompaninë “RAD”, të lidhur me njerëzit e afërm të Millan Radoiçiqit.
Sipas aktakuzës, Sheholli i kërkonte Jetullahut 13 mijë euro duke e shantazhuar me publikimin në media të disa video-incizimeve dhe informacioneve që do të “dëmtonin reputacionin dhe autoritetin” e tij.
“I pandehuri Fatmir Sheholli, gjatë vitit 2022, e në vazhdimësi deri në muajin dhjetor 2025, përfshirë edhe periudhën sa ndodhej nën masën e paraburgimit, i njëjti me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e ka shantazhuar tani të dëmtuarin Arben Jetullahu, pronar i një biznesi në Republikën e Kosovës, duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij në shumën që tejkalon 13,000.00 euro, duke i kërkuar para kinse në emër të huazimit, përmes kërcnimit se, në rast të mosdhënies së parave, do të publikonte në media video-incizime dhe informacione që do t’i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin e të dëmtuarit”, thuhet në aktakuzë.








