Si e kurdisi tenderin Trainkosi në atë formë që trenat të shkonin për riparim në Serbi?

Ndryshimet e procedurave publike të zhvilluara nga ndërmarrja publike Trainkos për riparimin e vagonëve të transportit të udhëtarëve përmes ndryshimit të specifikimeve të tenderit ngjallin dyshime se ndërmarrja publike ishte ajo që ia “hapi udhën” kompanisë fituese të tenderit që vagonët t’i çonin në Serbi për riparim.

Gazeta Insajderi ka hulumtuar çështjen e këtyre vagonave, ku ka parë se Trainkosi ka zhvilluar disa procedura të njëpasnjëshme, ku kompania Profitech SH.P.K. ka qenë ofertues në disa prej tyre dhe përfundimisht ka fituar kontratën në vitin 2024.

Në fund të vitit 2022, kur Trainkos shpalli procedurën me titull “Riparimi i mesëm i vagonëve të udhëtarëve”. Bëhej fjalë për 10 vagonë, ndërsa vlera e parashikuar e riparimit të tyre ishte 471,933 euro.


Në këtë procedurë, Profitech ishte ofertuesi i vetëm dhe dorëzoi ofertë në vlerë prej 878,982.80 euro. Oferta ishte dukshëm mbi vlerën e parashikuar, për çka procedura u anulua.

Trainkos e përsëriti procedurën edhe gjatë vitit 2023. Në njërën prej procedurave të zhvilluara atë vit, tenderimi u bë për një numër më të vogël vagonësh. Pas dështimeve të mëparshme, Trainkos ndryshoi specifikat.

Trainkos e përshkruan procedurën si tenderim me “specifikim të ndryshuar”. Në specifikat e dosjes së tenderit thuhet se riparimi i mesëm planifikohej të përfundonte në territorin e Kosovës.

“Ne kuadër të këtij Riparimi të Mesëm kemi planifikuar si njësi kërkuese të tenderojmë me Riparim të Mesëm Mobil-riparim brenda territorit të Kosovës, kjo për arsyes se kemi të bllokuar Linjën Fushë Kosovë-Hani i Elezit, e cila siç e dimë është ne Rehabilitim dhe sipas informatave qe kemi marre nga Infrakos SH.A, nuk pritet qe shpejt te jete funksionale për shkak të problemeve qe kane në Tunele, prandaj edhe jemi te obliguar qe te provojmë qe përmes Riparimit Mobile-brenda territorit të Kosovës te shikojmë mundësin e riparimit të këtyre Vagonëve”, thuhet në dosjen e tenderit.


Vlera e parashikuar për këtë procedurë ishte 354,394 euro, ndërsa procedura u anulua më 21 gusht 2023.

Pra, në vitin 2023, vetë Trainkos e kishte vendosur në dokumentacion një kërkesë që riparimi të përfundonte në territorin e Kosovës.

Megjithatë, disa muaj më vonë u hap një procedurë e re.


Në shkurt të vitit 2024, Trainkos shpalli tenderin me titull “Riparimi i mesëm i vagonëve të transportit të udhëtarëve”.

Në dosjen e tenderit, s’vlente e njëjta specifikë, që vagonët të riparoheshin brenda territorit të Kosovës.

Vlera e parashikuar e kontratës ishte 388,000 euro.

Edhe në këtë procedurë, Profitech ishte ofertuesi i vetëm.

Kompania ofroi 423,100.02 euro, rreth 35 mijë euro më shumë se vlera e parashikuar.

Ligji i Prokurimit Publik ka paraparë që në situatën kur vlera e ofertës është më e lartë se parashikimi duhet të anulohet tenderi dhe më pas të shtohen mjetet e tjera dhe të hapet tender i ri. Mirëpo, ndërmarrja vendosi që të shpallte kompaninë “Profitech” për kontratë.

Pavarësisht tejkalimit të vlerës së parashikuar, procedura vazhdoi dhe Trainkos përfundimisht e nënshkroi kontratën me Profitech më 8 maj 2024.

Në raportin e saj për fundin e vitit 2024, Trainkos ka sqaruar se oferta ishte rreth 9 për qind mbi buxhetin, por njësia kërkuese kishte konfirmuar se do të shtohej buxheti.

Kështu, kontrata përfundimtare arriti në 423,100.02 euro.

Por pjesa më interesante e historisë vjen pas nënshkrimit të kontratës.

Në nëntor të vitit 2024, dokumentet e Trainkos tregojnë se komisioni i ndërmarrjes udhëtoi në Zrenjanin të Serbisë, ku në punëtorinë e kompanisë Šinvoz d.o.o. nisi puna dhe testimi i vagonëve.

Pra, vagonët që ishin objekt i kontratës së fituar nga Profitech përfunduan për riparim në një kompani në Serbi.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit