Prokuroria Themelore në Gjakovë ka dhënë detaje lidhur me rastin e rëndë që ka ndodhur në fshatin Kërvasari të Komunës së Malishevës, ku një grua ka humbur jetën si pasojë e plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit, ndërsa bashkëshorti i saj, i dyshuar për rastin, ka mbetur i plagosur rëndë.
Sipas Prokurorisë, viktima, e gjinisë femërore dhe bashkëshortja e personit të dyshuar, pas plagëve të marra nga arma e zjarrit është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku më pas ka ndërruar jetë.
Ndërkaq, i dyshuari, person i gjinisë mashkullore, gjithashtu ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit. Ai është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK dhe, sipas njoftimit të këtij institucioni, ndodhet në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën.
Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me urdhër të tij, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, për kryerjen e autopsisë.
Prokuroria ka bërë të ditur se rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ndriçimin e plotë të rrethanave të këtij rasti dhe sigurimin e provave relevante.








