Fehim Sali, i arrestuar nën dyshimin për spiunazh, rezulton të jetë pronar i një kompanie të regjistruar në sektorin e energjisë elektrike. Të dhënat publike të regjistrit të bizneseve tregojnë se ai zotëron 100 për qind të “Wind Energy” SH.P.K., kompani kjo e regjistruar për prodhimin e energjisë elektrike.
Fehim Sali është arrestuar nën dyshimin për veprën penale të spiunazhit. Ai dyshohet të ketë pasur lidhje me shërbimin sekret serb BIA.
Por, përveç dyshimeve që lidhen me rastin penal, në bazë të të dhënave publike, Sali është i përfshirë në sektorin e energjisë.
“Wind Energy”, kompani për prodhimin e energjisë elektrike
Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve, “Wind Energy” SH.P.K. është regjistruar më 15 gusht 2022. Kompania është e regjistruar në Kërstec të Dragashit.
Në regjistër, aktiviteti kryesor i saj figuron si “Prodhimi i energjisë elektrike”. Kompania ka kapital të deklaruar prej 100 mijë eurosh dhe në të figurojnë dy punëtorë.
Fehim Sali figuron si pronar i 100 për qind të “Wind Energy” SH.P.K., si dhe si drejtor menaxhues i saj.


Një biznes tjetër në emër të tij
“Wind Energy” nuk është i vetmi biznes që figuron në pronësi të Fehim Salit.
Ai figuron edhe si pronar i “Fehim Sali B.I.”, i regjistruar në Dragash.
Ky biznes është regjistruar më 1 shtator 2014. Sipas të dhënave publike, aktiviteti kryesor i tij lidhet me kultivimin e kulturave për prodhimin e pijeve, ndërsa ndër aktivitetet e tjera figuron edhe kultivimi i frutave, shkurreve dhe arrave. Biznesi përdor edhe emrin tregtar “Plantazha SEME”.
Pra, nga regjistrat publikë, Fehim Sali rezulton i lidhur me dy biznese, një në sektorin e energjisë elektrike dhe një në sektorin e bujqësisë.
Biznesi i tij ka marrë pjesë edhe në tender të Komunës së Prizrenit
Hulumtimi në databazat publike të prokurimit tregon se Fehim Sali B.I. ka marrë pjesë edhe në një tender të Komunës së Prizrenit.
Bëhet fjalë për tenderin “Ngritja e pemishteve me arrë dhe lajthi në Komunën e Prizrenit”. Tenderi kishte vlerë të parashikuar prej 118 mijë eurosh.
Në këtë procedurë, Fehim Sali B.I. kishte paraqitur ofertë prej 99,994 eurosh. Megjithatë, ky biznes nuk e fitoi tenderin. Sipas databazës së D+, kontrata iu dha FIDANEX SH.P.K., me vlerë prej 187,761 eurosh.
Fehim Sali është arrestuar të enjten nën dyshimin për spiunazh pas një operacioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.
Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA) dhe se ka mbajtur kontakte me zyrtarin e saj, Zelimir Matoviq, shkruan Insajderi.
Ai ishte i angazhuar si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit.
Sali më herët ka qenë i angazhuar në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentit. Ai ishte emëruar në vitin 2022, me mandat dy-vjeçar


Të arrestuarit gjatë ditës iu është publikuar një fotografi bashkë me zëvendëskryeministrin serb, Ivica Daçiq.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, të siguruar nga KALLXO.com, Sali dyshohet se nga një periudhë e pacaktuar deri në arrestimin e tij më 13 gusht 2026, ka vepruar në territorin e Kosovës dhe Serbisë si person i rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent i Serbisë, BIA.
Ai dyshohet se, me qëllim të përfitimit material, ka ofruar ndihmë të vazhdueshme për këtë shërbim të huaj, duke vepruar sipas urdhrave dhe udhëzimeve të një zyrtari të lartë të BIA-s.
Në dosje thuhet se Sali ka ofruar informacione lidhur me situatën politike në Kosovë, ndërsa dyshohet edhe se ka identifikuar zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), të cilët më pas dyshohet se i ka fotografuar me qëllim të identifikimit të tyre.
Po ashtu, ai dyshohet se ka ofruar informacione për persona që i përkasin sektit vehabi, si dhe për persona të tjerë, të cilët më pas dyshohet se i ka propozuar te zyrtari i BIA-s si objektiva të mundshëm për kontaktim dhe rekrutim.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Sali ka ndërmjetësuar edhe për çështje dhe dokumente të lidhura me institucionet e Serbisë, ndërsa dyshohet se ka krijuar dhe mbajtur kontakte me persona me ndikim politik dhe shoqëror në Serbi dhe Kosovë, nga komunitetet jo shumicë.
Këtyre personave, sipas Prokurorisë, dyshohet se u ka ofruar udhëzime dhe orientime për mënyrën e veprimit politik, me qëllim të sigurimit, mbledhjes dhe përcjelljes së informatave me interes për BIA-n dhe realizimit të interesave të këtij shërbimi inteligjent.
Prokuroria pretendon se përmes këtyre veprimeve, Sali ka vepruar në kundërshtim me interesat shtetërore të Republikës së Kosovës, duke cenuar dhe dëmtuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të vendit.








