Një koment me përmbajtje seksiste, që i atribuohet kryeshefit ekzekutiv të Trainkosit, Agron Statovcit, ndaj deputetes së PDK-së, Ganimete Musliut, ka nxitur reagime në rrjetet sociale.
Komenti është publikuar nga zyrtari i Trainkosit, Asdren Ademi, i cili ka shpërndarë një fotografi ku shihet një koment në një video të Ganimete Musliut.
Në koment shkruhet: “Tu e pa sojin e kësaj femre, jam ka e lëshoj edhe gruan…”
Ademi ka ngritur pretendime për standarde të dyfishta në Trainkos, duke e lidhur publikimin e tij me një procedurë disiplinore që, sipas tij, ishte iniciuar ndaj tij nga kryeshefi Statovci për një koment të bërë në Facebook lidhur me renovimet e infrastrukturës hekurudhore.
“Dallimi mes meje, Asdren Ademi, punëtor i Trainkosit, dhe Agron Statovcit, kryeshef i Trainkosit. I njëjti për komentin tim ka nisur procedurë disiplinore duke u thirrur në Kodin e Etikës, e ky veç etik nuk ka”, ka shkruar Ademi.
Ai ka publikuar edhe fotografi të dokumenteve dhe komentit, duke pretenduar se ndaj tij janë përdorur standarde të ndryshme.
Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka një qëndrim të bërë publik nga Statovci apo Trainkos lidhur me pretendimet.








