Tenderi për lule i shkoi kompanisë së bletarisë, Gjykata e Tenderëve anulon kontratën e Komunës së Gjakovës

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka vendosur ta anulojë aktivitetin e prokurimit të Komunës së Gjakovës për “Furnizim me lule dhe kurora”, me vlerë të parashikuar prej 30 mijë eurosh, pasi ka konstatuar se nuk kishte oferta të përgjegjshme.

Tenderi fillimisht i ishte dhënë një biznesi që merret me bletari, përkundër se në Dosjen e Tenderit ishte kërkuar që operatori ekonomik të dëshmonte se gjatë tri viteve të fundit kishte realizuar me sukses kontrata të natyrës së ngjashme.

Sipas Panelit Shqyrtues të OSHP-së, furnizimet e paraqitura nga kompania fituese nuk mund të konsiderohen të ngjashme me atë se çka kërkohej në tender.

Po ashtu, aty thuhet se OSHP-ja ka konstatuar se Komuna e Gjakovës nuk i kishte mundësuar një operatori ekonomik konkurrues qasje në versionin e pastruar të dokumentacionit të tenderit.

Si i dha Komuna tender kompanisë që nuk përmbushi kriteret?

Më 12 qershor 2026, Komuna kishte publikuar njoftimin për dhënie të kontratës, ku për kontratë ishte rekomanduar “Bletaria Egzoni”.

Vlera e tenderit ishte 30 mijë euro.

Një kompani kishte kërkuar rishqyrtimin e vendimit, por Komuna e Gjakovës e kishte refuzuar kërkesën më 18 qershor.

Pas kësaj, më 26 qershor 2026, operatori ekonomik kishte dorëzuar ankesë në OSHP.

Në ankesën e saj, kompania kishte pretenduar se Komuna nuk kishte bërë verifikimin e plotë të përmbushjes së kritereve nga operatori i rekomanduar për kontratë.

Një nga pretendimet kryesore lidhej me veprimtarinë e regjistruar të “N.T.P. Bletaria Egzoni”.

Nga Certifikata e Regjistrimit të Biznesit dhe ekstrakti i Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), rezultonte se aktivitetet e operatorit të rekomanduar lidhen kryesisht me bletarinë, bujqësinë dhe veprimtari të tjera të ngjashme.

Në asnjërin prej aktiviteteve ekonomike të regjistruara nuk figuron furnizimi me lule, tregtia me lule, përgatitja e kurorave, dekorimet floristike apo ndonjë aktivitet tjetër që lidhet drejtpërdrejt me objektin e këtij aktiviteti të prokurimit”, thuhet në ankesën e kompanisë.

Aty ishin ngritur dyshime edhe për kapacitetin profesional të operatorit të rekomanduar.

Kompania pretendonte se Komuna nuk kishte dhënë arsyetim se si kishte konstatuar se “Bletaria Egzoni” i plotësonte kriteret e Dosjes së Tenderit.

Sipas ankuesit, nuk ishte sqaruar nëse ishte verifikuar aktiviteti ekonomik i kompanisë dhe as nuk ishin administruar prova që dëshmonin se operatori kishte kapacitetet profesionale për furnizimin me lule dhe kurora.

Pikë tjetër e kundërshtimit ishte përvoja e operatorit ekonomik.

Dosja e Tenderit kërkonte që operatorët ekonomikë të dëshmonin se gjatë tri viteve të fundit kishin realizuar me sukses kontrata të natyrës së ngjashme.

Në këtë drejtim, ankuesi kishte kërkuar që të verifikoheshin listat e kontratave, referencat, certifikatat e pranimit dhe raportet e ekzekutimit të mirë të furnizimeve.

Por, sipas gjetjeve të OSHP-së, pikërisht ky kriter rezultoi problematik për operatorin e rekomanduar.

Paneli Shqyrtues ka analizuar listën e kontratave dhe referencat e dorëzuara nga “Bletaria Egzoni” dhe ka konstatuar se pjesa më e madhe e furnizimeve të paraqitura lidhej me sektorin e bletarisë dhe bujqësisë.

Pjesa dërrmuese e furnizimeve të realizuara lidhen me sektorin e bletarisë dhe bujqësisë, përfshirë furnizimin me koshere, bletë, dyll, pajisje për bletari, centrifuga për nxjerrjen e mjaltit, mekanizëm bujqësor dhe pajisje për shpezëtari”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Paneli ka vlerësuar se këto furnizime nuk mund të konsiderohen si të ngjashme me objektin e tenderit të Komunës së Gjakovës.

Këto furnizime, sipas vlerësimit të Panelit, nuk mund të konsiderohen si furnizime të natyrës së ngjashme me objektin e këtij aktiviteti të prokurimit, përkatësisht me furnizimin e artikujve të paraparë në paramasë dhe në Dosjen e Tenderit”, thuhet në vendim.

Për këtë arsye, OSHP ka konstatuar se operatori i rekomanduar nuk kishte dëshmuar bindshëm përmbushjen e kriterit të kapacitetit teknik dhe profesional.

Operatori Ekonomik i rekomanduar nuk ka dëshmuar në mënyrë bindëse përmbushjen e kërkesës së kapacitetit teknik dhe profesional, në përputhje me kushtet e përcaktuara në Njoftim për kontratë dhe Dosjen e Tenderit”, thuhet më tej.

Komuna: Operatori fitues kishte çmimin më të ulët

Në përgjigjen ndaj kërkesës për rishqyrtim, Komuna e Gjakovës kishte mbrojtur vendimin e saj.

Komuna kishte thënë se operatori i shpërblyer me kontratë ishte operator i përgjegjshëm dhe kishte ofruar çmimin më të ulët.

Autoriteti kontraktues ka shpërblyer me kontratë Operatorin ekonomik të përgjegjshëm me çmimin më të ulët”, thuhej në përgjigjen e Komunës.

OSHP: Komuna nuk iu përgjigj plotësisht pretendimeve të kompanisë

Gjatë shqyrtimit të rastit, eksperti shqyrtues i OSHP-së kishte konstatuar se Komuna nuk e kishte nxjerrë vendimin e saj në përputhje të plotë me atë që ishte kërkuar nga ankuesi.

Sipas ekspertit, Komuna nuk ishte përgjigjur në mënyrë të plotë ndaj pretendimeve të “MIMOZA 1985” lidhur me operatorin e rekomanduar.

Eksperti kishte rekomanduar që ankesa të aprovohej pjesërisht, por që të mbetej në fuqi vendimi i Komunës për dhënien e kontratës.

Arsyetimi i ekspertit ishte se “MIMOZA 1985” nuk kishte argumentuar se eliminimi i saj nga procedura ishte i pabazuar.

OE ankues as në kërkesë për rishqyrtim, e as përmes ankesës në OSHP nuk tenton të argumentojë se arsyet e AK-së për eliminimin e tij janë të pabazuara”, thuhet në raportin e ekspertit.

Eksperti kishte vlerësuar se edhe nëse do të bëhej rivlerësimi i ofertave, kjo nuk do ta ndryshonte rezultatin sa i përket përgjegjshmërisë së kompanisë ankuese.

Megjithatë, Paneli Shqyrtues nuk e ka ndjekur plotësisht këtë rekomandim.

Paneli ka theksuar se raporti i ekspertit nuk është detyrues dhe se ai duhet të vlerësohet në raport me të gjitha provat dhe dokumentet e rastit.

“Raporti i ekspertizës nuk është detyrues për Panelin Shqyrtues dhe se çdo raport i tillë vlerësohet dhe/ose analizohet në kontekstin e përgjithshëm të shkresave të lëndës, fakteve të pohuara dhe të provave eventuale”, thuhet në vendim.

Komuna nuk kishte mundësuar qasje të plotë në dokumentacion

Një tjetër gjetje e OSHP-së lidhej me qasjen në dokumentet e procedurës.

Paneli konstatoi se Komuna e Gjakovës nuk kishte vepruar në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik, pasi nuk i kishte mundësuar operatorit ankues qasje në versionin e pastruar të dokumentacionit.

Autoriteti Kontraktues nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat ligjore të përcaktuara në nenin 10 paragrafi 3 të Ligjit për Prokurimin Publik si dhe nenin 7 paragrafi 7.6.3 të RrPP-së, duke mos i mundësuar Operatorit Ekonomik ankues qasje në versionin e pastruar të dokumentacionit”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Por, gjetja kryesore që ndikoi në anulimin e tenderit ishte mosplotësimi bindshëm i kriterit për përvojën dhe kapacitetin teknik e profesional nga operatori i rekomanduar.

Tenderi anulohet në tërësi

Pas shqyrtimit të dokumentacionit, pretendimeve të palëve dhe raportit të ekspertit, Paneli Shqyrtues vendosi që procedura të anulohet.

Në vendimit thuhet:

“Anulohet në tërësi, në mungesë të ofertave të përgjegjshme, aktiviteti i prokurimit ‘Furnizim me lule dhe kurora’, me numër të prokurimit 632-26-3086-1-2-1”.

OSHP ka lejuar edhe kthimin e mjeteve të depozituara nga ankuesi në emër të tarifës ankimore.

Vendimi i OSHP-së nënkupton se Komuna e Gjakovës nuk mund të vazhdojë me procedurën e shpërblimit të kontratës për këtë aktivitet, ndërsa nëse ka interesim për ritenderim, procedura duhet të zhvillohet duke marrë parasysh gjetjet e Panelit Shqyrtues dhe kushtet ligjore.

Tenderi, i cili kishte vlerë të parashikuar prej 30 mijë eurosh, ishte paraparë për furnizimin e Komunës së Gjakovës me lule dhe kurora. 

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit