Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar deputetët e opozitës lidhur me pjesëmarrjen e tyre në seancën për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Murati ka ngritur pyetjen nëse deputetët e opozitës do të qëndrojnë në sallë gjatë votimit për Presidentin.
“A qëndrojnë deputetët e opozitës në sallë kur të votohet për President? Kjo është çështja”, ka shkruar Murati.
Ai tha se në njërën anë kërkojnë të konstituohet Kuvendi, kurse në anën tjetër thonë që nuk qëndrojnë në sallë kur votohet Presidenti.
“Me fjalë tjera, po duan ta dërgojnë vendin edhe njëherë në zgjedhje. Vendi ka nevojë për institucione stabile”.
Murati tutje tha se Kosova nuk ua ka borxh opozitës që të përsërisë zgjedhje të panevojshme aq herë derisa opozita të jetë e kënaqur me rezultatin.








