Christopher S. Hyland: Pavarësia e Kosovës u bë e mundur falë Ibrahim Rugovës

Shkruan: Christopher S. Hyland

RUGOVIZMI ËSHTË ZGJIDHJA

Formimi i një qeverie dhe zgjedhja e një presidenti për Kosovën

Çdo republikë e re arrin, herë pas here, në një udhëkryq ku duhet të zgjedhë mes dy mënyrave të të kuptuarit të vetvetes — njëra që kërkon terrenin e përbashkët dhe tjetra që e ngatërron bllokimin me parimin. Kosova, një vend që e kam mbështetur për dekada të tëra, gjendet pikërisht në një udhëkryq të tillë këtë verë.

Tri herë brenda pak më shumë se një viti qytetarët e saj kanë dalë në zgjedhje; tri herë e kanë renditur Vetëvendosjen e Albin Kurtit si forcën e parë politike në vend; dhe tri herë Kuvendi ka dështuar në detyrën e vetme që këto zgjedhje duhej ta bënin të mundur — sigurimin e shumicës prej dy të tretash me të cilën zgjidhet Presidenti. Karrigia e kreut të shtetit mbetet bosh; mandati i Vjosa Osmanit përfundoi në prill dhe Albulena Haxhiu ushtron tani detyrën si Presidente në detyrë.

Bisedimet për koalicion, që pasuan zgjedhjet e 7 qershorit — në të cilat Vetëvendosja doli sërish e para me rreth 47% të votave, por pa shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme — tashmë janë ndërprerë. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës i ndërpreu negociatat mes trazirave brenda vetë partisë së tij. Kjo nuk është një krizë e imponuar nga jashtë. Për fat të keq të Kosovës, është një fatkeqësi e krijuar nga vetë ajo.

Do të guxoja të them se në këtë situatë ilaçi është më i vjetër se vetë mosmarrëveshja dhe se ai mban një emër: Rugovizëm.
Aristoteli pohonte se lumturia është përpjekja për t’u bërë diçka më e madhe se vetja jonë — një e drejtë njerëzore dhe një detyrim njerëzor që kërkon prej secilit prej nesh të zhvillojë dhuntitë e marra nga Zoti për të arritur versionin më të mirë të vetes. Ky mësim u përcoll ndër shekuj përmes John Locke-ut dhe Thomas Jefferson-it dhe, në kohën tonë, përmes Ibrahim Rugovës, Presidentit themelues të Kosovës. Ai mishëron frymën që unë prej kohësh e kam parë si thelbin e gjithë politikës së tij — frymën e unë, ti dhe ne.

Domethënë: unë ndiej dhimbje për Kosovën që vuan; edhe ti ndien dhimbje për të; dhe ne, së bashku, kemi detyrimin ta lehtësojmë atë vuajtje dhe të arrijmë zgjidhjen që e bën këtë të mundur. Politikani që refuzon të marrë pjesë në seancën parlamentare, në mënyrë që të mos zgjidhet Presidenti, e ka braktisur këtë frymë për rrugën më të lehtë — e cila pothuajse gjithmonë është rruga që ushqen përçarjen.

E takova Ibrahim Rugovën më 30 mars 1992, në një suitë të hotelit New York Hilton, i shoqëruar nga Avni Spahiu dhe falë ndërmjetësimit të Jim Xhemës. Ai rrinte i zhytur në tymin e cigareve, i mbështjellë me një shall të gjatë, dhe fliste – qetësisht, sikur gjithçka të ishte tashmë e përmbushur – për një të ardhme kushtetuese ende të palindur: një Kosovë të pavarur, trashëgimtare të Dardanisë së lashtë, vendlindjes së Romës, e cila do të qëndronte, ashtu si Jeffersoni dhe Adamsi kishin dëshiruar që të qëndronin kolonitë e tyre të reja, si një fanar shprese; një republikë e udhëhequr nga sundimi i ligjit e jo nga ankesat feudale, e ndërgjegjshme për të drejtat e çdo qytetari, pavarësisht prejardhjes së tij. Mendja e tij ishte formuar nga artet liberale – historia, filozofia, mineralogjia, estetika – një mendje e duruar, e nuancuar dhe e pajtuar me paradoksin. Tek dera, ndërsa po ndaheshim, ai u kthye edhe një herë dhe shqiptoi vetëm një fjalë: Dardania. Ai vetë ishte pjesë e historisë që evokonte, duke ecur, pavarësisht plagëve të saj, drejt një të ardhmeje më të drejtë dhe më të begatë.

Sociologia Dr. Brené Brown na ka dhënë një shprehje që përmbledh atë që kërkon udhëheqja në çaste të tilla – “guximi mbi rehatinë” – dhe Rugova zgjodhi guximin pothuajse çdo herë, edhe kur ai nuk ishte popullor, edhe kur të keqkuptoheshe nënkuptonte të përballeshe me kundërshtime. Ai punoi për të parandaluar atë që mund të ishte bërë një përplasje e vazhdueshme dhe shkatërrimtare ndërmjet disa fraksioneve militante dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kur u zgjodh President, ai i përfshiu edhe rivalët e tij në qeverisjen e Kosovës.
Dhe, ndoshta më e debatueshmja nga të gjitha, ai kërkoi pajtim me Serbinë – jo nga naiviteti, por sepse njihte shekujt e vuajtjeve që kishin mbetur pas dhe vuajtjet edhe më të mëdha që mund të vinin nëse modeli i vjetër i armiqësisë dhe hakmarrjes do të lejohej të vazhdonte.

Arsimi i tij i kishte dhënë atë që Dr. Brown do ta quante aftësi për të përballuar kompleksitetin – vetëdije për situatën, aftësi për të dalluar modelet, tolerancë ndaj nuancës dhe paradoksit – cilësi që nuk janë thjesht stoli të një njeriu të kultivuar, por pikërisht mjetet për të cilat kriza e tanishme e Kosovës ka aq shumë nevojë.
Pavarësia që bëri të mundur Kosovën u fitua në arenën e historisë – nga Rugova, nga udhëheqja e Universitetit të Kosovës, nga qytetarët dhe luftëtarët trima të Kosovës, nga diaspora e pazëvendësueshme, e mishëruar për mua nga Jim Xhema dhe Ekrem Bardha, mes shumë të tjerëve, nga Vehbi Bajrami i gazetës “Illyria”, si dhe nga presidentët Bush, babë e bir, dhe Presidenti Clinton, të cilët nuk lejuan që kjo kauzë të shuhej.

Presidenti Theodore Roosevelt, në fjalimin e tij në Sorbonë më 23 prill 1910, shprehu nderimin e tij më të madh për “njeriun që është vërtet në arenë”, i cili, edhe në rastin më të keq, “dështon duke guxuar madhërisht, në mënyrë që vendi i tij të mos jetë kurrë mes atyre shpirtrave të ftohtë e frikacakë që nuk njohin as fitoren e as humbjen.” Qytetarët e Kosovës hynë në atë arenë dhe e mposhtën tiraninë. Do të ishte vërtet e hidhur t’i shihnim tani, kur fitorja tashmë është e tyre, të rrezikonin një fatkeqësi të krijuar nga vetë ata – jo për mungesë votash, por për mungesë vullneti për të respektuar rezultatin.

Partitë politike, secila pjesë e domosdoshme e çdo zgjidhjeje, tani janë të thirrura të kapërcejnë hezitimet, ambiciet dhe interesat e tyre të ngushta. Këtu, burri i shtetit i shekullit të 18, Edmund Burke, vazhdon t’u japë mësim: “Çdo qeverisje, në të vërtetë çdo përfitim e kënaqësi njerëzore, çdo virtyt dhe çdo veprim i mençur, mbështetet mbi kompromisin dhe shkëmbimin.” Kosova nuk mund të jetë as e sigurt dhe as e mbrojtur për sa kohë që politikanët e saj refuzojnë këtë kompromis dhe vendosin interesin e tyre mbi interesin kombëtar – një refuzim që vazhdon pjesërisht sepse qytetarët ende nuk i kanë vënë përpara përgjegjësisë. Kur udhëheqësit e opozitës pengojnë kuorumin përmes të cilit zgjidhet Presidenti, ata nuk pengojnë thjesht një rival politik; sado në mënyrë të paqëllimtë ata u ndihmojnë atyre që dëshirojnë dështimin e këtij shteti të ri, dhe në atë pengim ekziston një bashkëfajësi me forcat shkatërruese në veprim.

Aritmetika e legjitimitetit përkthehet lehtësisht edhe përtej Atlantikut. Bill Clinton fitoi Presidencën e Shteteve të Bashkuara në vitin 1992 me vetëm 43 për qind të votave – 4 përqind më pak sesa mori Vetëvendosja e Albin Kurtit këtë qershor – dhe askush në Uashington nuk mendoi se për këtë arsye legjitimiteti i tij ishte i diskutueshëm. Prandaj, çdo parti, dhe mbi të gjitha Lidhja Demokratike e Kosovës – partia që vetë Ibrahim Rugova e themeloi – duhet më në fund të bëjë hapin përpara, të formojë një qeveri me Kurtin, fituesin e tri zgjedhjeve radhazi, dhe t’i lejojë Kuvendit të zgjedhë kreun e shtetit.

Që LDK-ja të bllokojë formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit në emër të avantazhit politik nuk është besnikëri ndaj themeluesit të saj; është mohimi i të gjithë metodës së tij, e cila mbështetej në bashkëpunimin politik për të mirën e përbashkët. Pyeteni Ukë Rugovën, djalin e Presidentit, se çfarë do të bënte i ati, dhe ai do t’ju japë të njëjtën përgjigje.
Sepse ajo që po lind në këtë cep të Ballkanit është diçka shumë më shpresëdhënëse sesa një grindje për një karrige: është mundësia e një

Kosove që e përfundon rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian, që i mban bijtë dhe bijat e saj në vendlindje në vend që t’i humbasë në emigrim, dhe që zë vendin që i takon, së bashku me Shqipërinë dhe fqinjët e saj, në një Bashkësi Ballkanike të ndërtuar mbi demokracinë kushtetuese, pluralizmin fetar dhe pajtimin. Le t’i lënë partitë mënjanë kotësitë e tyre; le ta nderojë Lidhja Demokratike themeluesin e saj duke qeverisur e jo duke penguar; le ta zgjedhë Kuvendi Presidentin që e kërkon Kushtetuta; dhe le të tregojë Kosova edhe një herë, siç e ka treguar edhe më parë, se demokracia e saj është më e fortë se individët që përpiqen ta mbajnë peng.

Në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara janë gdhendur fjalët që i atribuohen Mbretit Solomon: “Kur nuk ka vizion, populli humbet.”
Rugova e kishte atë vizion. Tani u takon atyre që pretendojnë se mbajnë trashëgiminë e tij të dëshmojnë se ende e kanë guximin për ta vënë atë në jetë. Kosova ka hyrë në arenë edhe më parë. Ajo mund të hyjë sërish.

(Christopher S. Hyland është një këshilltar veteran diplomatik, i specializuar në çështjet e Ballkanit dhe dialogun ndërfetar. Ai shërbeu si Zëvendësdrejtor Kombëtar Politik për Komunitetet Etnike në fushatën presidenciale të Bill Clintonit në vitin 1992, ka mbrojtur sovranitetin e Kosovës për më shumë se tridhjetë e pesë vjet dhe është anëtar i Urdhrit të Dr. Ibrahim Rugovës. Ai u takua me Ibrahim Rugovën në Nju Jork në vitin 1992. Është laureat i Çmimit Gandhi për Paqe dhe i Urdhërit Shën Patrik, për Paqen në Irlandë.)

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit