Nga Safet Gërxhaliu
Aristoteli e kuptonte politikën jo si zhurmë, as si garë të thjeshtë për pushtet, por si mënyrën se si njerëzit e ndërtojnë jetën e përbashkët. Kur thoshte se njeriu është qenie politike, ai nuk e kishte fjalën vetëm për parti, zgjedhje apo poste. E kishte fjalën për faktin se njeriu jeton në bashkësi dhe se cilësia e asaj bashkësie e përcakton edhe cilësinë e jetës së tij.
Kjo ide, edhe pse vjen nga filozofia e vjetër, është shumë aktuale për Kosovën sot. Sepse politika nuk ka kuptim nëse mbetet vetëm fjalë, procedurë, taktikë dhe garë për pozita. Ajo ka kuptim vetëm kur arrin me e organizu jetën publike, me kriju institucione që funksionojnë dhe me i dhënë qytetarit ndjenjën se vendi ka drejtim.
Sot, edhe pas zgjedhjeve, Kosova ende po pret. Po pret marrëveshje politike, po pret qeverisje funksionale, po pret institucione të plota dhe vendime që nuk janë vetëm teknike, por vendimtare për kahjen e vendit. Kjo pritje nuk është e pafajshme. Nuk është vetëm vonesë politike. Është vonesë e shtetit.
Një vend nuk ngadalësohet gjithmonë nga një krizë e madhe që shihet menjëherë. Nganjëherë ngadalësohet nga vonesat e përsëritura, nga vendimet që shtyhen, nga institucionet që mbeten të paplota dhe nga një lloj normaliteti i rremë, ku të gjithë vazhdojnë sikur asgjë serioze nuk po ndodh. Njerëzit shkojnë në punë, bizneset hapen, kafet mbushen, lajmet ndërrohen shpejt dhe jeta vazhdon, sepse duhet me vazhdu. Por kjo nuk do të thotë se shteti po ecën përpara.
Këtu është problemi më i thellë. Shoqëria duket sikur është mësuar me vonesën. Jo sepse qytetari nuk kupton, por sepse është lodhur. Ka dëgjuar shumë premtime, ka parë shumë beteja politike dhe shpesh është kthyer prapë te problemet e njëjta: pagat, çmimet, shëndetësia, arsimi, administrata, punësimi dhe pasiguria për të ardhmen. Njeriu, për me jetu, përshtatet. Por një shoqëri që përshtatet shumë gjatë me mosfunksionimin rrezikon ta humbë ndjeshmërinë ndaj tij.
John Stuart Mill e lidhte lirinë jo vetëm me të drejtën për të folur, por edhe me përgjegjësinë qytetare për të mos qëndruar pasiv përballë së keqes publike. Në këtë kuptim, pasiviteti nuk është gjithmonë neutral. Kur qytetarët ndalojnë së prituri funksionim normal nga shteti, politika e dobët fiton hapësirë pa pasur nevojë ta arsyetojë dobësinë e saj. Ajo thjesht vazhdon, sepse shoqëria është mësuar.
Prandaj nuk është normale që një vend të mbetet muaj në pritje politike. Nuk është normale që debatet për pozita, numra dhe procedura të zënë më shumë vend sesa debatet për ekonomi, arsim, shëndetësi, energji dhe integrim evropian. Nuk është normale që pas zgjedhjeve të mos dihet qartë a do të ketë marrëveshje, a do të ketë qeveri funksionale, apo a do të hyjmë prapë në një rreth të ri bllokimi.








