Zyrtari policor Altin Kryeziu, i cili prej një jave po luftonte për jetën pas aksidentit të rëndë në Malishevë, ka ndërruar jetë sot.
Kryeziu ishte goditur më 16 gusht, derisa po kryente detyrën dhe po rregullonte trafikun në rrugën “Ibrahim Mazreku”, ndërsa detajet e siguruara nga Sinjali zbulojnë përmasat dramatike të aksidentit – nga goditja e parë e deri te vendi ku automjeti u ndal përfundimisht, janë plot 132 metra.
I dyshuari për shkaktimin e aksidentit është Faton Gecaj rreth 27 vjeçar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjithçka nisi më 16 gusht, rreth orës 20:20, kur Gecaj dyshohet se po lëvizte me një automjet Honda në rrugën “Ibrahim Mazreku”, në drejtim të ambulancës.
Kur ka arritur pranë nënkalimit, automjeti që drejtonte ai dyshohet se fillimisht ka goditur nga prapa një Golf, drejtuesi i të cilit ishte ndalur para vendkalimit për këmbësorë për t’ua dhënë përparësinë atyre.
Por goditja e parë ishte vetëm fillimi.
Sipas të dhënave të rastit, pas përplasjes, i dyshuari ka vazhduar lëvizjen duke rritur shpejtësinë dhe, disa metra më tej, ka goditur një VW Amarok, i cili ishte i parkuar jashtë rrugës.
Automjeti ka vazhduar tutje.
Në atë pjesë të rrugës ndodhej edhe Altin Kryeziu, zyrtari policor që po rregullonte trafikun.
Honda e ka goditur policin dhe, sipas raportit, e ka bartur me vete për disa metra, deri në një tjetër përplasje me një VW Golf që ndodhej i ndalur.
Fuqia e goditjes e ka shtyrë edhe këtë automjet, i cili më pas është përplasur me një Seat Altea që ishte në lëvizje.
Kryeziu, ndërkaq, nga goditja është hedhur disa metra në anën e djathtë të trotuarit.
As aty nuk përfundoi lëvizja e Hondës.
Automjeti ka vazhduar edhe më tej, derisa në fund është përplasur në një shtyllë metalike të ndriçimit.
Hetimet në vendngjarje kanë nxjerrë një të dhënë që tregon përmasat e gjithë ngjarjes: nga pika e goditjes së parë deri në pikën përfundimtare ku është ndalur automjeti janë 132 metra.
Nga aksidenti, Altin Kryeziu kishte pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa pesë persona të tjerë kishin marrë lëndime të lehta dhe, sipas të dhënave fillestare, ndodheshin jashtë rrezikut për jetën.
Polici i ri ishte dërguar për trajtim në QKUK, ku për ditë me radhë vazhdoi beteja për t’ia shpëtuar jetën.
Sot erdhi lajmi që askush nuk dëshironte ta merrte.
Rreth orës 10:05, autoritetet janë njoftuar se Altin Kryeziu nuk kishte arritur t’u mbijetonte plagëve dhe kishte ndërruar jetë.
Për vdekjen e tij është njoftuar Prokurori kujdestar, ndërsa me urdhër të Prokurores, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
I dyshuari për aksidentin ishte arrestuar pas ngjarjes dhe, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ishte ndaluar për 48 orë.
Aksidenti që atë mbrëmje nisi me goditjen e një veture të ndalur para vendkalimit për këmbësorë, vazhdoi me një zinxhir përplasjesh dhe përfundoi 132 metra më tej.
Shtatë ditë më vonë, ai mori edhe epilogun më tragjik – Altin Kryeziu, polici 26-vjeçar që atë mbrëmje ishte në rrugë duke kryer detyrën e tij, nuk ia doli.








