Futbollisti francez Benjamin Pavard është përballur me një incident të rëndë në banesën e tij në Francë, pasi pesë persona dyshohet se tentuan të futeshin në pronën e tij për të kryer grabitje.
Sipas mediave franceze, alarmi është ngritur nga bashkëshortja shqiptare e lojtarit, Kleofina Pnishi, e cila ka vërejtur personat e dyshuar në ambientet e jashtme të shtëpisë.
Raportohet se të dyshuarit janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes me një veturë të tipit “Mercedes”, pasi janë pikasur, por policia ka arritur t’i ndalojë dhe arrestojë vetëm pak minuta më vonë.
Të pesë personat janë shoqëruar në komisariat, ndërsa ndaj tyre kanë nisur hetimet për tentativë grabitjeje.
Sipas raportimeve, të arrestuarit janë të moshës 25 deri në 26 vjeç dhe kishin udhëtuar nga rajoni Île-de-France me qëllim realizimin e grabitjes. Ende nuk dihet nëse Pavard ndodhej në banesë në momentin e incidentit.









