Një udhëtim familjar që duhej të përfundonte me kthim në shtëpi, u shndërrua në tragjedi për familjen Haliti nga Peja, pasi 43-vjeçari Driton Isa Haliti humbi jetën në vetaksidentin e rëndë që ndodhi sot në Dollc të Klinës.
Në aksident u lënduan edhe bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij, ndërsa gjendja më e rëndë raportohet të jetë ajo e njërit prej djemve të viktimës.
Për gjendjen e të lënduarve, ka folur shefi i Emergjencës, Naser Syla.
“Politraumë e rëndë, gjendje e rëndë dhe jostabile. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme, kirurgjia spinale dhe ortopedët janë duke u marrë me rastin”, tha ai.
Sipas Sylës, djali i 43-vjeçarit ndodhet në gjendje të rëndë dhe po trajtohet nën kujdes intensiv mjekësor, ndërsa dy familjarë të tjerë janë liruar për trajtim në shtëpi.
Një tjetër i lënduar po vazhdon trajtimin në Spitalin Rajonal të Pejës.









