Bashkëluftëtari i dëshmorit të kombit Fadil Maloku “Mortaja”, Jeton Pajaziti, në rrëfimin e tretë për GazetaKosova.net tregon se si iu janë vrarë shokët e tij të luftës.
Në këtë vazhdim, Pajaziti tregon edhe momentin e rënies së dëshmorit Fadil Maloku “Mortaja”.
“Më 9 prill ’99, pas orës 02:00 të mëngjesit, nga QSU Papaj jemi nisur në drejtim të Padeshit me të gjitha pajisjet luftarake. Me të arritur aty, kemi vazhduar rrugën në drejtim të kufirit shqiptaro-shqiptar. Pasi kemi kaluar bazën operative komanduese në Padesh, kemi arritur te Përroi, ku ditë më parë kishim deponuar predhat. Aty u ndamë në dy drejtime: unë, me bashkëluftëtarët e mi Milaim Mazreku, Isuf Krasniqi, Hamit Mehmeti dhe Florim Shehu, kemi vazhduar në krahun e majtë. Jemi ngjitur në një shpat dhe kemi arritur në një lartësi të madhe buzë kufirit. Rreth orës 04:00 të mëngjesit kemi dëgjuar disa detonime në drejtimin e 7 Korrikut, mirëpo nuk ishim në dijeni se çfarë po ndodhte atje. Pasi kemi arritur në një lartësi ku i tërë terreni ishte i mbuluar me borë, aty po prisnin komandantët Sali Çekaj dhe Agim Ramadani, ndërsa në mesin e tyre ishte edhe komandanti i Njësisë ‘Cobra’, Naser Vllasi. Aty e njoftova edhe bashkëluftëtarin Arif Malokun”, rrëfen ushtari.
Luftëtari tregon se moti ishte i keq, i shoqëruar me mjegull, reshje shiu dhe bore.
“Përderisa komandantët merreshin me ushtarët e tyre, përnjëherë më drejtohet komandant Saliu duke më kërkuar që ta vendos topin në drejtim të një objekti shtëpie. Pasi që ishte mjegull dhe nuk shihja asgjë, u befasova pse më kërkoi ta drejtoja topin në atë drejtim. Mirëpo Saliu më vërejti që u hutova dhe më tha: prit derisa të largohet mjegulla; në momentin që largohet, do ta vëresh një objekt si shtëpi dhe menjëherë do ta fokusosh aty dhe pret komandën time”.
“Momentin që u dëgjuan breshëritë e zjarrit në krahun e djathtë, kah vrojtorja, komandant Saliu më ka urdhëruar të veproj me top 75 mm në objektin ushtarak të Koshares. Tashmë u kuptua që dita e shumëpritur e heqjes së kufirit artificial dhe dëbimit të forcave okupatore serbe nga Kazerma e Koshares sapo kishte filluar, ku zhvilloheshin luftime të ashpra në drejtim të kazermës dhe në krahun e djathtë. Në të njëjtën kohë, pasi kishim goditur me projektilet e para në kazermë dhe në pozicionet përreth saj, janë qëlluar edhe pozicionet serbe në Rrasë të Koshares, ku me ta ishte shenjëtari Besnik Jasiqi ‘KIKA’, i cili me precizitet detyroi forcat serbe të lëshonin pozitat në Rrasë të Koshares”, tregon ai.
Bashkëluftëtari i “Mortajës” thekson se pothuajse çdo pjesë e pozitave ku ndodheshin granatohej nga forcat serbe, por sipas tij kjo nuk kishte ndikim, pasi i ndërronin pozicionet herë pas here.
“Pasdite, në pozicionin ku ishim ne, kanë arritur Milaim Mazreku dhe Arben Sejdiu me urdhër të Naser Vllasit për të marrë një top 75 mm me dy predha, e më pas u kemi dërguar edhe tetë predha të tjera. Gjatë kësaj dite nuk ka pasur të plagosur e as të vrarë nga ushtarët tanë; përkundrazi, ne me efikasitet të lartë kemi vepruar mbi forcat e gjalla të fortifikuara përreth objektit ushtarak të Koshares, duke i shkaktuar humbje ushtrisë serbe”.
“Duhet përmendur se te Saliu vërehej një disponim i veçantë për luftën që po bënim ne. Ai gjithmonë ishte pranë nesh në vijën e parë, thënë shkurt, në ballë të luftimeve. Ai thoshte se plani luftarak i përgatitur nga struktura komanduese po zhvillohej mirë, edhe pse ne ishim pak në numër. Gjatë natës së 9 dhe 10 prillit, Saliu kërkoi që të vazhdonim të qëndronim në pozicione pranë topit. Të nesërmen, më 10 prill, së bashku me bashkëluftëtarët dhe komandant Saliun, kemi vazhduar në drejtim të Rrasës së Koshares dhe kemi takuar Antonin; së bashku me të ishte edhe komandant Agim Ramadani. Aty kemi vendosur topin në drejtim të Batushës për t’i penguar forcat e motorizuara serbe që të mos lëviznin në drejtim të Koshares. Derisa Agimi ishte pranë nesh, në Shkozën e Mulliqit vëreheshin forca të shumta të këmbësorisë serbe në lëvizje, andaj Agimi na ka urdhëruar që t’i godasim me disa projektile nga topi 75 mm…”, tregon ai. Vazhdon…









