Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, tha se është e hapur që të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së presidentit.
“Tashmë takimet po vazhdojnë, ka pasur edhe dje takim për këtë qëllim dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Unë jam shumë e hapur që të ndihmoj, nëse mundem, në këtë drejtim”, tha Haxhiu, gjatë takimit me Avokatin e Popullit të Shqipërisë në zyrën e saj në Kuvend.
Një ditë më parë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua Lumir Abdixhikun, udhëheqësin e partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, por në takim nuk u arrit ndonjë marrëveshje për çështjen e presidentit.
Pas takimit pothuajse dyorësh, Kurti tha se “jemi të përcaktuar” që të shmangen zgjedhjet e reja, pasi sipas tij as votimet e reja nuk do të sillnin 80 vota, aq sa kërkohet për votimin e presidentit të ri.
Takimi u zhvillua pas përfundimit të mandatit presidencial të Vjosa Osmanit më 4 prill. Të njëjtën ditë, pozitën e ushtrueses së detyrës e mori Haxhiu, ashtu siç parashihet me Kushtetutë.









