Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se sot do t’i dorëzojë në Polici të gjitha dëshmitë lidhur me siç e ka quajtur “skandalin me njehsorët elektrikë”.
Dorëzimi do të bëhet nga deputeti Visar Azemi, në Stacionin Policor në Prishtinë.
Dy ditë më parë, Azemi ka kërkuar ndalimin e çdo ndërhyrjeje në njehsorët elektrikë, duke paralajmëruar se veprime të tilla mund të çojnë në zhdukjen e provave. Ai ka theksuar se ndërrimi i njehsorëve, sidomos në rastet me dyshime për matje të pasakta të energjisë, ngre shqetësime për pengim të hetimeve.
Deputeti i LDK-së ka kërkuar pezullimin e veprimeve të KEDS-it dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë deri në përfundimin e hetimeve dhe sigurimin e të gjitha provave.
Ai ka paralajmëruar se çdo manipulim i mundshëm i provave përbën shkelje ligjore dhe duhet trajtuar si vepër penale.
Ndërkohë gjatë një konference për media të mëhershme, Lidhja Demokratike të Kosovës ka ngritur akuza për manipulim sistematik të faturimit të energjisë elektrike, i cili sipas tyre ka dëmtuar qytetarët me miliona euro.









