Partia Demokratike e Kosovës thotë se mirëpret Aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me rastin KO81/26, me të cilin është deklaruar e papranueshme kërkesa për konflikt kompetencash ndërmjet Presidentes dhe grupeve parlamentare.
Sipas PDK-së “ky vendim konfirmon qartësinë e rendit kushtetues dhe përcakton rolin e institucioneve në procesin e emërimeve në institucionet e pavarura”.
Pas këtij aktvendimi, “PDK i kërkon Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, emërimin e menjëhershëm të anëtarit të saj të dytë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe praktikën e deritashme institucionale”, vijon njoftimi.
“Vonesat e mëtejshme në këtë proces janë të pajustifikueshme dhe cenojnë funksionimin e rregullt të institucioneve zgjedhore. Respektimi i Kushtetutës dhe garantimi i përfaqësimit të drejtë politik në KQZ janë obligime për të gjitha institucionet përgjegjëse”, shprehet PDK.









