Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj i ka reaguar përmes disa shkrimeve në rrjetin e tij social, presidentes aktuale të vendit, Vjosa Osmani.
Sipas ti Osmani ka qenë gjithmonë figurë partiake, dhe se, VV nuk ia ka borxh Osmanit që ta bëjë presidente.
‘’Albin Kurti është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt që ka fituar mbi 51% të votave. Hapi i parë i tij ishte gjetja e një figure konsensuale, por kjo nuk u arrit, pavarësisht përpjekjeve për të siguruar një propozim nga opozita. Vjosa sot nuk përfaqëson një subjekt politik, por nuk është figurë konsensuale, pasi karrierën e saj e ka ndërtuar si pjesë e subjekteve politike’’, shkroi ai në Facebook.
Shhkrimi i plotë:
Në historinë e pasluftës së Kosovës nuk kemi pasur asnjë rast kur pozita, pra koalicioni qeverisës, ka zgjedhur një president nga opozita.
Po ashtu duhet theksuar se në historinë e pasluftës së Kosovës nuk ka pasur kurrë rast kur një subjekt i vetëm fiton gjysmën e elektoratit, siç është rasti me Lëvizjen Vetëvendosje.
Kujtojmë se kur presidentë ishin Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi, të njëjtat subjekte politike kishin edhe ekzekutivin, pra e kishin pushtetin së bashku.
Madje nuk kemi pse të shkojmë aq larg. Në vitin 2021 koalicioni Vetëvendosje–Guxo kishte edhe qeverinë, edhe kryeparlamentarin, edhe presidencën. Ky është koalicioni që e bëri Vjosën presidente.
Vjosa ka qenë gjithmonë figurë partiake.
Zërat që thonë se nëse koalicioni qeverisës LVV–GUXO–Alternativa i merr tri pozitat kryesore kemi “pushtet absolut”, janë thjesht përpjekje për ta shtyrë opozitën në gabimin e radhës.
Historia na tregon se këto tri pozita, me përjashtim të presidentes Atifete Jahjaga, kanë qenë gjithmonë partiake dhe i ka pasur koalicioni fitues.
Risia që nga viti 2021 është se koalicioni qeverisës dominohet nga një fitore e madhe dhe historike e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sot është i njëjti koalicion që, sikur më 2021, po propozon një kandidat tjetër për president nga radhët e veta. Kësaj here një kandidat që ka gëzuar konsensus si kryetar i Kuvendit dhe mbështetje të madhe popullore, madje edhe më të madhe se sa kishte Vjosa Osmani në zgjedhjet e vitit 2021.
Albin Kurti është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt që ka fituar mbi 51% të votave. Hapi i parë i tij ishte gjetja e një figure konsensuale, por kjo nuk u arrit, pavarësisht përpjekjeve për të siguruar një propozim nga opozita.
Vjosa sot nuk përfaqëson një subjekt politik, por nuk është figurë konsensuale, pasi karrierën e saj e ka ndërtuar si pjesë e subjekteve politike.
Vjosa është figurë e nderuar, ish krye parlamentare dhe presidente dhe e denjë për çdo pozitë, por Vetëvendosje nuk ia ka borxh Vjosës ta bëjë presidente.









