“Një armadë masive po i afrohet Iranit,” paralajmëroi Donald Trump më 28 janar. Dy javë më parë, presidenti amerikan u kishte premtuar protestuesve iranianë se ndihma ishte në rrugë, por më pas u tërhoq. Që atëherë, përmasat e gjakderdhjes së ushtruar nga regjimi i Iranit janë bërë më të qarta. Hrana, një organizatë për monitorimin e të drejtave të njeriut me seli në Uashington, ka konfirmuar mbi 6.300 viktima. Sipas burimeve opozitare, numri real mund të arrijë deri në 30.000.
Tani zoti Trump e ka zhvendosur fokusin e tij te programi bërthamor i Iranit, prodhimi i raketave dhe politika e jashtme e vendit.
Nëse Teherani refuzon të arrijë një marrëveshje, ai paralajmëroi se sulmi i radhës do të ishte “shumë më i rëndë” sesa goditjet ndaj objekteve bërthamore iraniane vitin e kaluar.
Kjo është një kërcënim i besueshëm. Pjesa qendrore e armadës është aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln, e cila mendohet se ka mbërritur në Gjirin e Omanit, nga ku avionët e saj luftarakë mund të godasin lehtësisht Iranin. Aeroplanmbajtësja mban gjithashtu avionë për luftë elektronike, të aftë për të bllokuar radarët iranianë, dhe shoqërohet nga tre anije shkatërruese, secila e pajisur me raketa lundruese për sulme tokësore dhe me sisteme për interceptimin e raketave iraniane.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar edhe platforma të tjera ushtarake në rajon. Imazhet satelitore tregojnë vendosjen e sistemeve të reja të mbrojtjes ajrore në bazën ajrore al-Udeid në Katar, ku ndodhet selia rajonale e Komandës Qendrore Amerikane (dhe e cila u shënjestrua nga Irani verën e kaluar). Avionë luftarakë F-15E, të përdorur për të shkatërruar dronë iranianë që po drejtoheshin drejt Izraelit në vitin 2024, janë dërguar në Jordani.
Dy javë më parë, Izraeli kishte lobuar kundër sulmeve ushtarake, pjesërisht sepse ishte i cenueshëm ndaj kundërsulmeve iraniane. Tani Amerika ndodhet në një pozicion më të fortë për të përballuar çdo hakmarrje të mundshme nga Irani. Megjithatë, ka pak shenja publike të një rritjeje të fluturimeve të avionëve transportues, të cilat zakonisht shoqërojnë vendosjen e sistemeve Patriot dhe THAAD, që përdoren për të rrëzuar raketa balistike.
Vëzhguesit e avionëve, që ndjekin sinjalet e transponderëve, kanë vënë re zhvillime të tjera domethënëse. Një numër i madh avionësh cisternë për furnizim në ajër ka mbërritur në al-Udeid. Avionë kërkim-shpëtimi (SAR), të nevojshëm për gjetjen e pilotëve të rrëzuar, po lëvizin drejt lindjes. Po ashtu, është shënuar një rritje e fortë e aktivitetit të avionëve amerikanë të zbulimit, të aftë për të gjurmuar radarët iranianë, për të përgjuar komunikimet dhe për të hartëzuar forcat iraniane, si dhe e avionëve që shërbejnë si qendra ajrore komunikimi dhe që mund të mbështesin misionet SAR. Të gjitha këto, sipas Steffan Watkins, i cili ndjek lëvizjet e avionëve dhe anijeve përmes të dhënave publike, janë një “shenjë e sigurt se bombardimet do të nisin së shpejti”.
Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë saktësisht ka në shënjestër zoti Trump. Diplomatët përmendin disa skenarë. Njëri është kryerja e sulmeve simbolike, ndoshta kundër Gardës Revolucionare Islamike, e cila ka udhëhequr represionin e fundit. Kjo do t’i lejonte Trumpit të pretendonte se kishte zbatuar vijën e tij të kuqe, pa e tronditur realisht pushtetin e regjimit.
Një alternativë tjetër do të ishin sulme shumë më të gjera, me synim rrëzimin e regjimit përmes eliminimit të udhëheqësve të tij. Qeveritë arabe dhe evropiane janë skeptike se kjo do të funksiononte. Një operacion i tillë do të kërkonte ditë apo javë bombardimesh dhe, rrjedhimisht, një dislokim shumë më të madh të fuqisë ushtarake sesa ai aktual. Kjo pothuajse me siguri do të nxiste një luftë më të gjerë, ku Irani mund të godiste bazat amerikane dhe aleate në Gjirin Persik. Izraeli mund të shihte një mundësi për t’i shkaktuar dëme të mëdha arsenalit raketor iranian. Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të shqetësuara nga një konflikt i tillë, kanë refuzuar të lejojnë përdorimin e hapësirës së tyre ajrore për sulme ndaj Iranit.
Një skenar i tretë, i përmendur nga zyrtarë perëndimorë, është një operacion hibrid: Shtetet e Bashkuara do të eliminonin disa udhëheqës iranianë përfshirë ajatollah Ali Khamenein, udhëheqësin suprem të vendit dhe më pas do të arrinin një marrëveshje me një regjim të mbetur, ashtu siç vepruan në Venezuelë.
Natyrisht, ekziston ende mundësia që Amerika dhe Irani të arrijnë një marrëveshje që do të shmangte sulmin. Steve Witkoff, i dërguari i zotit Trump për Lindjen e Mesme, ka deklaruar se çdo marrëveshje duhet të përfshijë programin bërthamor të Iranit, arsenalin raketor dhe rrjetin e tij të aleatëve rajonalë. Megjithatë, udhëheqësit iranianë nuk do ta kenë harruar afatin dyjavor për një marrëveshje që Trump vendosi në qershor. Tre ditë më pas, ai e bombardoi vendin./ Përshtatur nga The Economist








