Një histori që nis me dhunë brutale në rrugët e Prizrenit dhe përfundon me pranga për krime kundër demokracisë. Ky është profili i Granit Paqarizit, personazhit që vetëm dy muaj pasi u dënua me një gjobë “qesharake” për sulm dhe kanosje, u arrestua si pjesë e një rrjeti të organizuar për manipulimin e votave.
Gjithçka nisi në korrik të vitit 2025, kur në rrugën “Reshat Karjagdiu”, Paqarizi i kishte zënë pritë Florim Temajt. Në një skenë që i ngjan filmave me banda, ai doli nga makina dhe me grushta shkatërroi xhamin e një “Audi Q8”, për të vazhduar më pas sulmin fizik mbi viktimën.
Ekspertiza mjekoligjore konfirmoi hematomat dhe kontuzionet në fytyrën e Temajt, por kjo nuk mjaftoi që drejtësia të ishte e prerë.
Më 29 tetor 2025, fiks dy muaj para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prizren, Fatmir Krasniqi, shpalli një aktgjykim që ngjall dyshime:
Dënimi: Paqarizi u shpall fajtor për dëmtim pasurie, lëndim trupor dhe kanosje. Përveç dhunës fizike, ai e kishte kërcënuar Temajn me fjalët: “Kam met vra, kam met mbyt”, duke i shkaktuar frikë dhe pasiguri serioze.
Çmimi i lirisë: Megjithëse tri vepra penale rëndonin mbi të, ai u dënua me vetëm 2,500 euro gjobë. Pasi iu llogarit koha në paraburgim, liria e tij kushtoi vetëm 800 euro.
Recidivisti, i forti me imunitet politik
Hulumtimet e Gazetës kanë zbardhur se ky sulm nuk ishte një incident i izoluar. Paqarizi nuk është thjesht një afarist; ai është nipi i një figure politike me ndikim në Prizren, çka shpjegon edhe “butësinë” e vazhdueshme të organeve të drejtësisë ndaj tij.
Insajderi ka raportuar në vazhdimësi se si persona me të kaluar kriminale, si Paqarizi, përdoren si “vanguardë” në prag zgjedhjesh. Me një dosje që përfshin kanosje të personave zyrtarë dhe dhunë, ai kishte arritur të ndërtonte një imazh paprekshmërie, duke e ditur se gjobat modeste janë vetëm një “taksë” e vogël për të vazhduar aktivitetin e tij.
Rasti i tij nxjerr në pah edhe problem serioz në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Persona me të kaluar të dhunshme u infiltruan si “vëzhgues” në qendrat e numërimit të votave. Paqarizi, i freskët nga dënimi i tetorit, u shfaq në zemër të procesit zgjedhor të 28 dhjetorit. Prania e tij nuk ishte rastësore; ajo dyshohet se synonte intimidimin e komisionerëve dhe garantimin e rezultateve që dyshohet se nuk ishin krejt vullneti i qytetarëve.
Skema u shemb në janar të vitit 2026. Gjatë një operacioni masiv, Policia e Kosovës prangosi Paqarizin nën dyshimet për falsifikim të formularëve zyrtarë dhe ndërhyrje në rezultatet zgjedhore në Prizren.
Granit Paqarizi është nipi (djali i vëllait) i kandidatit për deputet, Fetah Paqarizi.
Prokuroria dyshon se ai ka ushtruar presion direkt për të favorizuar kandidatë me lidhje familjare, duke dëmtuar integritetin e votës.
Rasti i Granit Paqarizit është prova më e qartë se si një drejtësi që fal dhunën, prodhon edhe të dyshuar për krim elektoral. Kur gjyqtari Fatmir Krasniqi i dha mundësinë Paqarizit të blinte lirinë me 800 euro, ai padashje (ose jo) i dha atij “licencën” për të sulmuar themelet e shtetit: votën e qytetarit.








