Hoxha i njohur Ahmed Kalaja ka reaguar ashpër ndaj, siç e quan ai, keqinterpretimeve fetare lidhur me birrat joalkoolike, duke theksuar se shpallja e tyre si haram është e pabazuar në Kuran, Sunet dhe konsensusin e dijetarëve islamë.
Përmes një reagimi publik, Kalaja ka deklaruar se korrupsioni i dijes fetare dhe të folurit pa kompetencë janë probleme serioze, duke e cilësuar si “turp të madh” rishfaqjen e një fetvaje që pretendon se birrat pa alkool janë haram.
Sipas tij, në Islam ndalimi lidhet qartësisht me dehjen dhe jo me emërtimin apo përqindjen e mundshme të alkoolit. Ai ka theksuar se pretendimet se birrat joalkoolike përmbajnë alkool janë të pavërteta, por edhe në rast se do të kishin një përqindje minimale që nuk shkakton dehje, kjo nuk do t’i bënte ato haram.
Kalaja është thirrur në hadithe profetike, në praktikën e të Dërguarit të Allahut (s.a.w.s.), si dhe në konsensusin (ixhmain) e dijetarëve, duke theksuar se “vetëm pijet dehëse janë haram”. Ai ka përmendur gjithashtu libra të fikhut dhe usulit të katër medhhebeve, ku, sipas tij, kjo çështje është e sanksionuar qartë.
Ai ka paralajmëruar se shpallja haram e diçkaje që Zoti nuk e ka ndaluar është një mëkat i rëndë, duke cituar edhe ajetin kuranor nga surja En-Nahl (116), ku ndalohet shpifja në emër të Zotit për hallallin dhe haramin.
“Ta shpallësh haram diçka që është kaq e qartë është më e rëndë sesa vetë kryerja e haramit”, ka theksuar Kalaja, duke shtuar se birrat joalkoolike shiten lirshëm edhe në vende islame si Meka, Medina dhe Kajro.
Në përfundim, ai u ka bërë thirrje besimtarëve që të mos ndjekin mendime të pabazuara dhe të mos flasin për fenë pa dije, duke kërkuar kthim te burimet autentike islame dhe literatura klasike e fikhut.








