Si askush para tij, autori dhe moderatori i emisionit Politiko, Kushtrim Sadiku u dorëzua para kryeministrit në detyrë Albin Kurti në një intervistë në katër sy të enjten.
Jo vetëm që nuk e sfidoi me pyetje të rënda, intervista e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje me moderatorin Sadiku u kthye në propagandë politike, të cilën as PR-i (marrëdhëniet me publikun të qeverisë, v.j) nuk do ta bënte më mirë.
Modeli i intervistimit të zhvilluar nga Sadiku të enjten është përkufizimi më i pastër i shprehjes “kur moderatori bie në gjunjë”.
Sidomos në një sekuencë të veçantë të intervistës. Në pjesën e pyetjes për telefonatën e ish-shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila me Millan Radoiçiqin.
Sadiku i parashtroi Kurtit pyetje sugjestive në raport me audio-incizimin e Kusari-Lilës dhe Radoiçiqit të publikuar në Paparaci në vitin e kaluar. E pyeti kryeministrin në detyrë se “a është kjo [audio-incizimi, v.j] pjesë e luftës hibride”, duke ia kurdisur Kurtit alibinë perfekte për skandalin.
“Si i keni parë ato përgjime telefonike të znj. Kusari-Lila? I keni parë pjesë të luftës hibride dhe montazhave, apo ju ka shqetësuar dhe ju ka brengosur?”, e pyeti Sadiku, Kurtin, i cili e pranoi me çiltërsi shërbimin që ia kreu moderatori.
Kurti tregoi se i beson verbërisht partneres së tij politike. Tha se biseda “është e montuar” dhe se “padyshim që është pjesë e luftës hibride”.
Para moderatorit në të vetëquajturin “televizion të gazetarëve”, Kurti i pasfiduar kërkoi edhe hetim për gazetarët që e kanë transmetuar audio-incizimin.
“Padyshim që është pjesë e luftës hibride dhe e montimeve që i janë bërë znj. Mimoza Kusari-Lila. Edhe njëherë po më duhet të citoj kolegët e mi. Nuk kam asgjë çfarë të shtoj, ajo është montuar dhe unë besoj që ata që e kanë transmetuar do duhej të hetoheshin sesi u bë një montim i tillë dhe.. kush ua dha e si ua dha”, tha Kurti. “Nuk ka gjë të vërtetë. Të provosh të lidhësh Mimoza Kusari-Lilën me Millan Radojçiqin është një gjë e ligë, përveçse e pavërtetë”.
Shefi i qeverisë në pesë vitet e fundit kaloi pa u sfiduar edhe për faktet që i pasuan audio-incizimit të Kusari-Lilës me Radoiçiqin, dhe të cilat nuk i përshtaten aspak narrativës së Kurtit për “luftën hibride” dhe “montim të audio-incizimit”.
Moderatori e fshehu faktin që Mimoza Kusari-Lila, e cila bisedoi në telefon me Radoiçiqin përmes ndërmjetësimit të ish-deputetit të Listës Serbe, Sllvako Simiq, nuk e ka kontestuar në organet e drejtësisë vërtetësinë e audio-incizimit.
Kusari-Lila, ndonëse deklarativisht e ka quajtur “të montuar bisedën”, zyrtarisht në organet e drejtësisë ka deponuar kallëzim penal për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit në raport me publikimin e audio-incizimit nga Paparaci.
Kallëzimin e Kusari-Lilës ndaj Paparacit të deponuar në tetor të vitit 2024, Prokuroria Speciale e hodhi poshtë me një aktvendim të nxjerrë në tetor të këtij viti.
Prokurori i rastit Bekim Kodraliu, i cili në mesin e kësaj jave ngriti aktakuzë kundër tre personave për shpërthimin në kanalin “Ibër Lepenc”, konstatoi se në audio-incizimin e Kusari-Lilës me Radoiçiqin nuk ekzistonin elemente të kryerjes së veprës penale nga Paparaci.
Në kallëzim penal, Kusari-Lila pretendonte se portali Paparaci.com, me drejtor Vehbi Kajtazin, publikoi një gjoja bisedë të fabrikuar “mes saj, Sllavko Simiçit dhe Millan Radoiçiqit”.
Por, prokurori i rastit vlerësoi se Paparaci nuk e ka konsumuar veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit me publikimin e audio-incizimit.
“Nga provat personale dhe ato materiale të bashkangjitura në shkresat e lëndës dhe pas analizimit të tyre, e në veçanti pas analizimit të bisedës së zhvilluar mes palëve, e të publikuar në portalin ‘Paparaci.com’ me pronar Vehbi Kajtazi, nuk është vërtetuar me asnjë veprim se të lartcekurit kanë konsumuar elementet e veprës ‘Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’”, thuhet në aktvendim.
Paparaci publikoi në tetor të vitit të kaluar audio-incizimin e një bisede telefonike mes Kusari-Lilës, Sllavko Simiçit dhe Millan Radoiçiqit. Audio-incizimi është autentik. Ai është realizuar në qershorin e vitit 2022.
Komunikimi i Kusari-Lilës me kryeterroristin e Banjkës ishte realizuar me ndërmjetësimin e Sllavko Simiqit, ish-homologut të Kusari-Lilës, deputetit të Listës Serbe.






