Deklarata e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, se Qeveria Kurti ka mundësuar lëvizje të lirë dhe se qytetarët sot udhëtojnë më lehtë se kurrë, ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga opozita. Vlora Çitaku nga PDK dhe Jehona Lushaku-Sadriu nga LDK kanë kundërshtuar fuqishëm pretendimet e tij, duke e akuzuar Vetëvendosjen për vonesa shumëvjeçare në procesin e liberalizimit të vizave dhe për gjendjen aktuale ekonomike e ndërkombëtare të vendit.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, iu kundërpërgjigj akuzave se Qeveria Kurti ka izoluar vendin, duke bërë një krahasim me periudhat e qeverive të kaluara:
“A i keni ni këta të opozitës kur po thonë ‘na ka izolu Qeveria Kurti’?
Përpara kur kanë qeverisë ata tjerët dhe kur ‘nuk kemi qenë të izoluar’ duhej me apliku për vizë 6 muaj ma herët, me ba ni krah dokumente gati, dhe me i shpenzu nja 200-300 euro veç për me shku 1 javë në vizitë te naj familjar në diasporë.
Kurse tash ‘të izoluar me Qeverinë Kurti’ paradite e blen biletën, dhe masdite i hyp aeroplanit, edhe ka gjasë që bileta kushton ma lirë sesa që kanë kushtu veç dokumentet për aplikim për vizë.”**
PDK
Nënkryetarja, Vlora Çitaku e kundërshtoi ashpër Muratin, duke thënë se Vetëvendosja nuk ka asnjë meritë në liberalizimin e vizave.
“Hekuran,
Kontributi juaj i vetëm në procesin e liberalizimit të vizave ka qenë gazi lotsjellës dhe vonesat disavjeçare.
Asnjë kontribut tjetër nuk keni. Asnjë.
Qesharak jeni bërë.
Veç kur të na tregoni një ditë se ju e keni shpallur edhe Pavarësinë e Shqipërisë, edhe e keni çliruar Kosovën.
Mos u merr me gjëra koti.
Dil pak dhe shko vetëm në një barnatore, e ke me i pa qytetarët tanë duke mos pasur para as barnat me i pagu.
Dil dhe takoje ndonjë pensioner, e të tregon se si po duhet me kursy nga buka e gojës për t’i paguar faturat e energjisë elektrike.
Kryeje ndonjë punë tënden, e pastaj krekosu.”
LDK
Edhe Jehona Lushaku-Sadriu reagoi dhe kërkoi sqarime se cili kusht për liberalizim ishte plotësuar nga Vetëvendosja.
“Hekuran,
Cilin kusht për liberalizim e keni plotësu ju VV-ja, që po ke qejf me marr merita?
Ju e keni kall shtetin mos me lanë me u plotësu demarkacioni i kufirit, si kushti i fundit nga BE. Ja keni humbë Kosovës një dekadë pa liberalizim. Radhët e gjata para ambasadave të qytetarëve tanë për viza për 10 vjet kanë qenë prej jush! A keni harru cka ka bë VV asokohe, a? Demalkacioni, Demalkacioni…
Protesta, gas në Kuvend, molotov,… e çka s’keni bë për me ndërtu kauza të rrejshme për pushtet!
Sot, po krenohesh me punën që e kanë bërë të tjerët, se s’po ke çka me tregu për qeverisjen e juaj!
Sot, Kosova është në SANKSIONE dhe më e izoluar se kurrë! Kosova ka humbë 1 miliard euro asistencë si rezultat i sjelljeve tua edhe Kurtit! Sa shkolla, rruga e sa projekti kish arritë me u realizu me këto grante, që ju ia keni humbur Kosovës.
Keni me u ndëshku keq më 28 dhjetor për këto manipulime historike që ia keni bërë vendit!”






