Një aksident i rëndë me pasoja fatale ka ndodhur sot në Prizren, ku një këmbësore ka humbur jetën pasi është goditur nga një automjet mikser-betoni gjatë lëvizjes në zonën e punimeve.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:50, në rrugën “Hadi Kantarxhiu”
Për shkak të pakujdesisë gjatë vozitjes, dyshohet se pjesa e përparme e djathtë e automjetit e ka goditur këmbësoren Zenepe Minushi, 53 vjeçare, e cila po lëvizte pranë skajit të trotuarit në të njëjtin drejtim me mjetin. Pas goditjes, goma e përparme e djathtë e mikserit është ngjitur mbi trupin e viktimës.
Vozitësi ka lëvizur menjëherë mbrapa me mjet, pasi ka vërejtur goditjen, derisa është liruar trupi i këmbësores nga poshtë gomës.
Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Vdekja është konfirmuar nga ekipi emergjent që ka arritur në vend në orën 12:55.
Prokurori kujdestar është njoftuar menjëherë, dhe me urdhër të tij trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML në Prishtinë për obduksion.
Rasti po hetohet si aksident trafiku me fatalitet.






