Irlanda, Spanja dhe Holanda kanë njoftuar se do të bojkotojnë Eurovision Song Contest të vitit të ardhshëm, pasi Izraelit iu lejuar të marrë pjesë.
Këto vende ishin ndër ato që kërkuan përjashtimin e Izraelit, duke u bazuar në pasojat humanitare të luftës në Gaza dhe akuza për praktika të padrejta votimi.
Pavarësisht kërkesave për një votim mbi pjesëmarrjen e Izraelit, anëtarët miratuan një grup rregullash të ri që synojnë të mbrojnë integritetin e konkursit, raporton BBC, transmeton Sinjali.
Në një deklaratë, transmetuesi holandez Avrotros tha se: “Pjesëmarrja në këto rrethana është e papajtueshme me vlerat publike që janë thelbësore për ne.”
Transmetuesi spanjoll RTVE shtoi: “Bordi i drejtorëve të RTVE-së vendosi në shtator të kaluar që Spanja do të tërhiqej nga Eurovision-i nëse Izraeli do të ishte pjesë e tij. Kjo tërheqje gjithashtu do të thotë se RTVE nuk do të transmetojë as finalen e Eurovision 2026, as gjysmëfinalet paraprake.”
RTVE kishte udhëhequr fushatën për përjashtimin e Izraelit dhe kishte kërkuar një votim sekret mbi pjesëmarrjen e tij.
Sipas transmetuesit, organizatorët “refuzuan kërkesën e RTVE-së”, duke shtuar: “Ky vendim rrit mosbesimin e RTVE-së ndaj organizimit të festivalit dhe konfirmon presionin politik që e rrethon atë.”
Pritet që edhe transmetues të tjerë, përfshirë Slloveninë dhe Islandën, të tërhiqen nga konkurrenca.






