Një shqiptare 60-vjeçare, Shadije A., ka ndërhyrë për të shuar një zjarr që kishte shpërthyer në ballkonin e banesës së saj në Rothrist të Zvicrës.
Sapo ka parë flakët, ajo ka marrë kova dhe legenë, i ka mbushur me ujë dhe ka nisur të shuajë zjarrin, me qëllim që ai të mos përhapej më tej.
Gjatë intervenimit, Shadija ka pësuar lëndime në krahun e djathtë dhe në këmbë.
“Unë dola për ta parë djalin tim që po pinte cigare në ballkon dhe kur u ktheva në apartament dhe e pashë zjarrin, mora menjëherë kovat dhe legenat, i mbusha me ujë dhe u përpoqa ta shuaja. Duke vepruar kështu, lëndova krahun e djathtë dhe gjithashtu këmbët”, ka treguar ajo, raporton Blick.
Lëndimet e saj nuk kanë qenë serioze dhe pas trajtimit në spital, ajo është liruar. Shadija ende mban një fashë të vogël në krah.
Në shuarjen e zjarrit ka ndihmuar edhe një shqiptar tjetër, i cili ka përdorur një jastëk të lagur me ujë. Ai nuk ka pësuar lëndime.
Pas mbërritjes së zjarrfikësve, zona është izoluar, ndërsa dëmet materiale kanë qenë të vogla.
Autoritetet kompetente e kanë falënderuar Shadijen për intervenimin dhe bashkëpunimin e saj.








