Big Mama ishte e lidhur drejtpërdrejt në emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, ku me lot në sy kujtoi momentet me artistin e ndjerë, Shpat Kasapi. Ajo tregoi se me Shpatin njiheshin që nga viti 1997 dhe ishin pjesë e së njëjtës gjeneratë. Gjithashtu, zbuloi edhe kërkesën e fundit të tij: gjatë një regjistrimi të një programi festiv, Shpati i kishte propozuar të këndonin së bashku këngën “Sajzeza”.
Big Mama tha: “Të gjitha fotot i ka duke qeshur. Nuk ka pasur në estradën tonë artist më të buzëqeshur se Shpati. Edhe kur ziheshe me të, ai të kthente përgjigje me buzëqeshje. Ne do të na mbeten kujtimet më të bukura. Unë i them familjes, bashkëshortes, nënës, tezes dhe gjithë familjarëve të Shpatit, Zoti u faltë durimin sa më shumë dhe ta kujtojmë në mënyrën më të bukur.”
Duke kujtuar fillimet e miqësisë, Big Mama tha: “Jemi rritur bashkë, jemi prej një qyteti. Sot më janë kujtuar të gjitha gjërat që kemi kaluar, koncertet, rrugëtimet, të qeshurat, shakatë që kemi bërë. Por më ka ngelur në kokë paraqitja jonë në Festivalin e Fëmijëve në 1997, kemi qenë fëmijë, kemi qenë një gjeneratë, kemi patur dhe prindërit shokë.”
Ajo kujtoi edhe momentin e fundit të regjistrimit: “Para dy javësh, gjatë një regjistrimi të një programi festiv, Shpati më tha: ‘A t’a këndojmë bashkë “Sajzeza” meqenëse jemi të dy tetovarë.’ I thashë: ‘Do e këndojmë o Shpat’. Kush e dinte se ai do të ishte kujtimi i fundit me Shpatin.”
Big Mama tregoi gjithashtu për kontaktet me familjen e Shpatit: “Nëna e Shpatit nuk ka mundësi të flasë, por kam folur me të afërm. Me vajzën e tezes kam folur. Nuk kam forcë të shkoj, por do të shkoj.”









