Lajmi i papritur për ndarjen nga jeta të këngëtarit të dashur për publikun, Shpat Kasapi, ka rënë si rrufe në qiell të hapur mëngjesin e sotëm. Shpati, i cili u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare (1985-2025), ka lënë pas një boshllëk të madh, jo vetëm te adhuruesit e muzikës së tij, por sidomos te kolegët që e njohën nga afër.
Menjëherë pas përhapjes së lajmit tragjik, rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe ngushëllimi, ku mbizotëron shoku dhe mosbesimi.
Big Basta: “Nuk i bënte nona dy si ti”
Reperi Big Basta ka bërë një dedikim prekës, duke vlerësuar mbi të gjitha karakterin e Shpatit.
”Të gjithë kolegët e dimë çfarë djali i mrekullueshëm ke qenë! Nuk i bënte nona 2 si ti! I sjellshëm dhe zemër të madhe, kurrë nuk dëgjuam diçka të keqe nga ti për askënd,” shkruan ai, duke e quajtur një humbje të madhe për të gjithë.
Rovena Stefa: “Dhimbje e thellë”
Këngëtarja Rovena Stefa, një bashkëpunëtore dhe mike e vjetër e artistit, ka postuar një foto bardh e zi të tij, duke shprehur dhimbjen e thellë.
”Dhimbje e thellë humbja e mikut tim, kolegut tim të dashur e shpirtbardhë, Shpat Kasapi,” shkruan Rovena mes lotësh virtualë.
Edhe Iliriana Sadriu i është bashkuar reagimeve të shumta. Ajo ka rishpërndarë njoftimin, duke u lutur për paqen e tij të përjetshme.
”O Zot mëshiroje shpirtin e tij, e ngushëllime gjithë familjes,” shkruan Iliriana, duke bashkangjitur emoji lutjeje.
Ndërsa, moderatorja Arbana Osmani ka ndarë një kujtim nostalgjik nga koha e artë e “Top Fest”, duke nënvizuar mirësjelljen që e karakterizonte Shpatin gjithmonë.
”Lajmi për largimin e parakohshëm nga jeta të Shpat Kasapit… me të cilin kam pasur fatin të punoj më shumë se 20 vite më parë në Top Fest dhe ta ftoj në skenë me dhjetëra herë. Faleminderit për muzikën, energjinë dhe buzëqeshjet e pakursyera,” shkruan Arbana.
Tutje, reperi Gold AG ka shprehur ngushëllime për vdekjen e mikut dhe të kolegut të tij.
Vdekja e papritur e Shpat Kasapit ka tronditur edhe mikun e tij të fëmijërisë, Ermal Fejzullahun.
Këngëtari ka publikuar një fotografi të viteve të rinisë me Shpatin, përmes së cilës kujton nisjen e karrierës së tyre.
“Nuk po muj me besu, sot shkove ti miku im i fëmijërisë. E filluam karrierën bashkë e shumë kujtime të bukura patëm me ty të cilat do t’i ruaj tërë jetën. Na theve zemrat Shpat, pusho i qetë vëlla,” shkruan Fejzullahu.
E shokuar nga ky lajm, këngëtarja Dafina Zeqiri ka shkruar:“Nuk mundem me besu këtë lajm kaq të trishtë … Ti gjithmonë ke qenë i mirë me ne, gjithmonë pozitiv. Kështu do të mbajmë mend, për energjinë tënde të mirë dhe për muzikën e gëzueshme që na dhurove. U prehtë në paqe e Zoti i japtë forcë familjes.”
Po ashtu, edhe këngëtari Blero ka ndarë një fotografi krah Shpatit nga skena e Top Fest, ku konkurruan me këngën “Falma”, ai shkruan se ka mbetur pa fjalë, pa frymë dhe pa forcë.
“Sot zemra më është thyer në një mënyrë që s’e kam njohur kurrë më parë. Ikja jote, Shpat, na ka lënë të gjithëve pa fjalë, pa frymë, pa forcë. Miku im, kolegu im, njeriu me shpirt të bardhë dhe zemër të madhe… do të të mbaj mend gjithmonë me buzëqeshjen që e ndriçonte çdo dhomë ku hyje. Është e pabesueshme të flas për ty në të kaluarën. Ti ishe dritë, mirësi, energji e pastër. Çdo moment me ty ishte një bekim, çdo bisedë një paqe, çdo kujtim një dhuratë”, ka shkruar Blero.
Ndër të tjera, këngëtari shkruan se drita e Shpatit nuk do të shuhet kurrë dhe se i njëjti do të jetojë në kujtime, në historitë dhe në zemrat e tyre.
“Lutem për ty me gjithë shpirt, dhe për familjen tënde që ka humbur një engjëll në tokë. Ndërsa unë… jam i thyer. I thyer në shpirt, në zemër, në çdo pjesë të vetes që të ka njohur dhe dashur. Fli i qetë, vëlla. Drita jote nuk do të shuhet kurrë. Do të jetosh në kujtimet tona, në historitë tona, në zemrat tona. Pusho në paqe, Shpat. Gjithmonë do të jem krenar që të quajta mik”, përfundoi Blero.
Kurse, Big Mama ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e saj në rrjetet sociale, duke shpërndarë një foto të Shpat Kasapit, ku i ka dedikuar fjalë zemre.
Në postimin e shkurtër por prekës, Big Mama shkruan: “O Shpati bre … nuk dua ta besoj. U zgjova me lajmin më të trishtë dhe më të këputë shpirtin. Fëmijëria jonë dhe kujtimet tona sot dhembjin edhe më shumë. Do të më mungosh përgjithmonë, vëlla. Prehu në paqe. Ngushëllime të sinqerta familjarëve… Zoti ju dhëntë forcë e durim në këtë dhimbje.”
Këngëtari i njohur, Shpat Kasapi, ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare pas një sulmi kardiak, duke lënë pas familjen, ish-gruan dhe djalin e vogël trevjeçar.









