Detaje të reja janë zbuluar rreth vdekjes tragjike të 41-vjeçarit nga Llapi, Burim Havolli, i cili vdiq më 12 nëntor në Bruklin të New Yorkut.
Ndonëse mediat në ShBA, si NBC News e të tjera, raportuan se Burim Havolli u vra, miku i familjes së të ndjerit thotë tjetër version.
“I ndjeri ka punuar mbikëkyrës i atij apartamenti. Ai fillimisht u konfliktua verbalisht me një hajn i cili ka dashur të marr disa gjëra që kanë qenë për banorët. I ndjeri e ka ndaluar atë dhe e ka lajmëruar Policinë, të cilët e kanë arrestuar vjedhësin. I ndjeri është treguar hero duke e kapur atë. Ka prit derisa kanë ardhë organet e sigurisë së shteteve të bashkuara. Ua ka dorëzuar atyrE”, tha ai.
“Familja tregon se derisa e ka kapur vjedhësin për t’ia dorëzuar Policisë, mund të kenë qenë disa goditje [drejt të ndjerit] me telefon në kokë. Ambulanca ka ardhë aty dhe i ndjeri nuk ka shkuar në spital. Është kthyer në banesën e tij me bashkëshorten, fëmijët. Pas një orë, një orë e gjysmë ka pas disa shenja të dhimbje të gjoksit dhe ka ndërruar jetë”, tha i njëjti.










