Behgjet Pacolli dyshohet se e ka mashtruar ortakun e tij, pronarin e “2A Group” Sh.p.k., Valon Ademin, duke mos ia njohur të drejtën në 47% të aksioneve në koncensionin për Aeroportin e Vlorës.
Biznesmeni Behgjet Pacolli është akuzuar nga ortaku i tij, Valon Ademi, për marrje me dhunë të koncensionit për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës në Shqipëri.
Të dy ortakët që para katër vitesh morën Aeroportin me koncension nga shteti, ndodhen në mesin e një përplasje ligjore dhe publike për pronësinë e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës – VIA Sh.p.k.
Përplasja lidhet me dyshimet për ekzekutimin nga Pacolli, pronar i kompanisë ndërtuese “MabCo Constructions SA”, të një skeme të dyshimtë për përvetësimin e jashtëligjshëm të shumicës dërrmuese të aksioneve të koncensionit dhe kalimin e aseteve te një kompani “offshore”.
Pacolli dyshohet se e ka mashtruar ortakun e tij, pronarin e “2A Group” Sh.p.k., Valon Ademin, duke mos ia njohur të drejtën në 47% të aksioneve pavarësisht se ekzistojnë dëshmi të transferimit të aksioneve nga “MabCo Constructions” S.A. tek “2A Group” Sh.p.k.
Duke ia mohuar 47%-shin e aksioneve kompanisë “2A Group” Sh.p.k., Pacolli ka nënshkruar në maj të këtij viti një marrëveshje për dorëzimin e aseteve të tij në Aeroportin e Vlorës te “Delphos Securities Sarl”, një kompanie guackë (offshore) me bazë në Luksemburg.
Kjo marrëveshje është bërë në formën e një borxhi të marrë nga kompania e Pacollit, e cila siç thotë ortaku i tij, Valon Ademi, në fakt nënkupton “marrjen me dhunë” të Aeroportit të Vlorës.
“Thelbi i akuzës që kam ngritur [ndaj z. Pacolli] është mashtrimi. Shitja e Aeroportit. E ka shitur”, tha pronar i “2A Group” në një intervistë në emisionin Opinion të TV Klan në Shqipëri të mërkurën.
Ademi, i cili sipas regjistrit zyrtar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri zotëron 2% të aksioneve të koncensionit, por ka një kontratë të noterizuar të blerjes së 40% të aksioneve të tjera nga MabCo, e akuzon Pacollin për shitje fshehurazi të Aeroportit, bashkë me aksionet e tij.
Ai i referohet marrëveshjes së dyshimtë të Pacollit me kompaninë “Delphos Securities”, prapa së cilës, shpjegon afaristi nga Prishtinë, qëndron edhe një kompani problematike – offshore.
“E ke parë një postim të Behgjet Pacollit që thotë u bënë disa analistë, disa gazetarë që të interpretojnë këtë kontratën se gjoja është kontratë internacionale”, tha ai. “Kontrata e Delphos, Blendi, nuk është kontratë kredie. Është kontratë marrje me dhunë e Aeroportit”, tha Ademi të mërkurën.
Sipas Ademit, marrëveshja me të cilën Pacolli dyshohet se e shiti Aeroportin te “Delphos Securities, është e ndërtuar mbi rrezikun që borxhi të mos shlyhet kurrë për shkak të interesave “jashtë normales” së larta.
“Që ta shpjegoj unë ty.. kjo kontratë, unë i këshilloj të gjithë juristët shqiptarë që e duan të paktën këtë vend – të humbin kohë në një fundjavë dhe ta lexojnë kontratën. Në çdo faqe të kësaj kontrate sa shkon më poshtë fillon të të dridhet trupi dhe thua ‘ore, kush është ky lloj njeriu që merr këtë lloj borxhi?’”, alarmoi Ademi.
“Si mund të marrësh një borxh – është një krahasim shumë i thjesht: ne kemi 56 milionë euro kredi në BKT, po themi do të paguajmë interesa 10 milionë për këtë 56 milionëshin, do të shkojë në 66 [milionë euro]. Kjo [kontrata e Delphos-it, v.j] për 66 shkon 100 [milionë], Blendi. Janë interesa jashtë normalës. Mundësia e defaultit [rreziku që huamarrësi të mos e shlyejë borxhin, v.j] është jashtë normales”, shpjegoi ortaku i Pacollit në koncensionin e Aeroportit.
Ademi tha se borxhin e marrë nga “Delphos Securities”, Pacolli e ka garantuar “ekskluzivisht me aksionet e tij”.
“Emri MabCo do të vazhdojë të mbetet. Pra, ai ka shitur MabCo – përkatësisht ka shitur aksionet e MabCo në Vlora International Airport. Por letrat do t’ia bëjnë ata, Delphos-i”, tha Ademi. “Unë e kam problemin me Compartment Bernina, e cila është një kompani që nuk e di njeri se kush është. Kjo marrëveshje nuk është kredi. As nuk shkruan se është kredi. Delphos-i nuk është bankë”.
Rrëfimi i Behgjet Pacollit është krejtësisht i ndryshëm nga ky i Valon Ademit.
Pacolli, i cili dha një intervistë për Opinion në TV Klan javën që shkoi, pretendon se transferimi i 40% të aksioneve nga kompania e tij “MabCo Constructions” SA tek “2A Group” është kryer në formë të paligjshme – “me falsifikim të nënshkrimit të tij në kontratën e shit-blerjes”.
Biznesmeni multi-milioner me bazë në Lugano të Zvicrës e Hajvali të Prishtinës, e mbrojti edhe marrëveshjen e borxhit që lidhi me “2A Group”.
Para rreth dy javësh, Pacolli u intervistua nga Prokuroria e Tiranës lidhur me dyshimet për mashtrimin e ortakut të tij në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Hetimet penale ndaj tij po zhvillohen për një seri veprimesh të dyshimta rreth pronësisë së Aeroportit.
Përpos biznesmenit Pacolli, Prokuroria në Shqipëri ka nisur hetime penale edhe ndaj vëllait të tij, Eminit, dhe punonjësit të “Mabco Constructions” SA, Nelson Çelës. Të tre dyshohen për veprat penale të mashtrimit me pasoja të rënda, falsifikimit të dokumenteve e mashtrimit kompjuterik.
Një lëndë për të njëjtën çështje ndodhet edhe në Gjykatën e Tiranës, bazuar mbi një padi penale që Valon Ademi ka deponuar kundër Behgjet Pacollit për çështjen e pronësisë së Aeroportit.
Gjykata, para disa muajsh vendosi masë të sigurisë ndaj çdo mbledhje të planifikuar të Asamblenë së Përgjithshme të Ortakëve të biznesit “Vlora International Airport – VIA Sh.P.K”.






