Ajo dikur kishte një lidhje plot dashuri dhe afërsi me bashkëshortin e saj, por pas një shtatzënie të vështirë dhe një lindjeje traumatike, gjithçka ndryshoi. Tani, çdo mbrëmje është një betejë mes heshtjes dhe shmangies.
Ai gjen çdo justifikim për të mos qenë pranë saj — ndërsa ajo ndien se po humbet veten në një martesë pa dashuri, pa përqafime dhe pa përgjigje, shkruan “The Mirror”.
Çfarë ndodh kur partneri yt nuk të dëshiron më — dhe nuk të tregon pse?
Rrëfimi i plotë
Burri im nuk do kurrë të bëjmë seks dhe ka kaluar aq shumë kohë që as nuk e mbaj mend herën e fundit. Gjithçka nisi të përkeqësohej pas shtatzënisë sime të vështirë me fëmijën tonë më të vogël, dhe më pas një lindje shumë traumatike. Për një kohë nuk patëm marrëdhënie për shkak të problemeve shëndetësore dhe kujdesit ndaj foshnjës, por pastaj kjo u kthye në “normalitetin” tonë të ri – thjesht nuk ndodhte më.
Ai bën gjithçka për të shmangur intimitetin me mua – del me shokët, qëndron vonë në punë ose sheh programe pa kuptim në TV derisa të më zërë gjumi. Një natë humba durimin dhe ia thashë troç të gjitha.
Ai pranoi se nuk është i interesuar për seks, por nuk më dha asnjë arsye. Tha se nuk e di pse dhe më akuzoi se po e teproj. Që nga ajo grindje, mezi kemi folur, dhe mendja ime po më luan lojëra – pyes veten nëse ka ndonjë tjetër, apo thjesht nuk më pëlqen më.
Kjo situatë po më çmend. Ndihem e padashur dhe e vetmuar në martesën time. Ai është shumë i mbyllur si person, prandaj është e pamundur ta bëj të hapet me mua, por e ndjej që po fsheh diçka. Ju lutem, më ndihmoni.
Përgjigjja e Coleen
Duhet të këmbëngulësh, sepse me shumë mundësi ai ka arsye konkrete – thjesht nuk do t’i pranojë.
Shpjegoji se, edhe nëse ka frikë se mund të të lëndojë, duhet të jetë i sinqertë dhe t’i vërë kartat mbi tavolinë. Thuaji se nuk mund të vazhdosh në një martesë pa intimitet dhe pa komunikim. Por bëhu gati që ndoshta ajo që do të dëgjosh nuk do të të pëlqejë.
Mund të duket sikur ai po të shtyn ty ta marrësh vendimin për ndarje, në mënyrë që ai të mos ketë faj. Ndoshta po pret që ti të lodhesh nga shmangiet dhe mungesa e afërsisë, të largohesh vetë, dhe kështu ai të mos ndiejë faj. Shpresoj të mos jetë kështu, por ki kujdes – duket sikur ai po të vë ty në pozitën që të marrësh një vendim që në fakt i takon atij.






