Avokati Fanol Krasniqi ka njoftuar se Shaban Berisha, babai i deputetit Veton Berisha, është shpallur i pafajshëm me një vendim të Gjykatës Themelore të Pejës.
Krasniqi me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se arrestimi i tij ndodhi jo sepse kishte kryer ndonjë vepër penale, “por sepse është babai i deputetit Veton Berisha”.
“Sot, Gjykata e Pejës e shpalli të pafajshem z. Shaban Berisha, i cili ishte arrestuar dhe akuzuar padrejtësisht. Gjatë këtij procesi gjyqësor nuk është provuar asnjë fakt që ta lidhte z. Berisha me ndonjë vepër penale, por, është provuar vetëm fakti që arrestimi i tij nuk kishte asnjë bazë ligjore. E vërteta është se z. Shaban Berisha nuk u arrestua sepse kishte kryer ndonjë veper penale, por sepse është babai i deputetit Veton Berisha”, deklaron Krasniqi.
“Ky vendim i Gjykatës është një fitore e drejtësisë dhe dëshmi se e vërteta, sado që vonon, del në dritë. Uroj që padrejtësi të tilla mos të ndodhin më, dhe që askush të mos vuajë, vetëm pse dikush nuk e gjen të pranueshëm nivelin e që ka, djali i z. Shaban Berishes”, vijon ai.










