Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar në Facebook pas ngjarjes tragjike në Gjilan, ku tre persona u vranë nga tre të dyshuar, të cilët tashmë janë shpallur në kërkim.
Sveçla u shpreh “thellësisht i tronditur” nga ngjarja dhe u përcolli ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave.
Ai kritikoi ashpër institucionet e drejtësisë, duke i akuzuar për neglizhencë në trajtimin e rasteve kriminale dhe për lënien në liri të personave të rrezikshëm.
Sipas tij, i dyshuari kryesor i vrasjes kishte qenë më parë i arrestuar për fajde, por ishte lënë i lirë nga sistemi i drejtësisë.
“Është momenti i fundit që këto institucione të reflektojnë”, shkroi ai, duke theksuar se nuk duhet të ketë tolerim për asnjë kriminel dhe se qytetarët duhet të ndihen të sigurt në vendin e tyre.
Ndryshe, Mefail Shkodra është në arrati, bashkë me dy djemtë e tij.
Ai del se ishte mjaft aktiv me pjesëmarrjen e tij në ngjarje të ndryshme ku ishin edhe politikanë.
Shkodra ka fotografi me shumë prej tyre, deri te krerët më të lartë të shtetit.
Një fotografi e Mefail Shkodrës me Xhelal Sveçlën, ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, po qarkullon gjithashtu në internet.
Pasi më herët ishte një ku i arratisuri sot shihej së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.









