Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, një ditë më parë ka bërë të ditur se ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ajo e arsyetoi vendimin me faktin se gjyqtari Radomir Laban është caktuar si raportues i kësaj lënde, duke e cilësuar atë si “figurë problematike për sigurinë e shtetit”.
Lidhur me këtë, sot ka folur kryeministri në detyrë, Albin Kurti. I pyetur për qëndrimin e tij ndaj këtij vendimi, Kurti tha se presidentja Osmani nuk ka qenë në dijeni që Laban do të kryesonte çështjen në Kushtetuese.
“Ne që nga viti 2018 kemi qenë të informuar për gjyqtarin Laban, atëherë kur ai pati aplikuar që të bëhet anëtari i Gjykatës Kushtetueses”, tha Kurti.
Tutje, ai kujtoi se deputetja Albulena Haxhiu, në emër të grupit parlamentar të LVV-së në kohën kur ishin në opozitë, kishte dërguar një letër zyrtare në Zyrën e Presidentit dhe kryetares së atëhershme të Gjykatës Kushtetuese.
“Deputetja Albulena Haxhiu në emër të Grupit parlamentar aso kohe sa ishim në opozitë i ka shkruar letër zyrtare Zyrës së Presidentit, por fatkeqësisht as presidenti i atëhershëm në vitin 2018, as kryetarja e Gjykatës Kushtetuese e atëhershme, në vitin 2018 nuk e kanë parë të arsyeshme që të ndalin një proces të tillë sepse është absurde që dikush i cili sipas informacioneve që kemi nga institucionet e sigurisë se është i papërshtatshëm, rrezik për rendin tonë kushtetues tash të gjykojë mbi një çështje kushtetuese”, u shpreh Kurti.








