Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media ka folur lidhur me protestën e paralajmëruar për 7 gusht nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), si dhe për faktin se Gjykata Speciale ka pranuar dokumente që thuhet se janë marrë nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror i Serbisë, Ministria e Brendshme e këtij shteti dhe struktura të tjera serbe.
Ajo e cilësoi këtë veprim si të papranueshëm dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese, duke theksuar se çdo institucion gjyqësor i krijuar nga Republika e Kosovës ka obligim ligjor dhe kushtetues të funksionojë në përputhje me rregullat e sistemit juridik të vendit, e jo të mbështetet në materiale të ofruara nga shtete që kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Mendoj që është jashtëzakonisht shqetësuese që cilado Gjykatë e krijuar nga Republika e Kosovës, e cila e ka detyrim ligjor e kushtetues që të funksionojë sipas sistemit juridik dhe rregullave juridike të Republikës së Kosovës, që të pranojë prova të cilat i prodhon shteti i Serbisë.
Është dëshmuar historikisht që çdo provë që e prodhon shteti i Serbisë, në veçanti kundër popullit shqiptar dhe kundër Ushtrisë tonë Çlirimtare, janë prova të falsifikuara të cilat kanë vetëm një synim – ta rishkruajnë historinë.
E kam thënë qindra herë dhe po e përsëris edhe sot – nuk ka asnjë përpjekje e cila do të mund ta njollosë luftën e drejtë dhe çlirimtare të UÇK-së dhe të popullit të Kosovës. Ajo ka qenë një luftë për ta mbrojtur popullin e pambrojtur të Republikës sonë nga forcat gjenocidale të Millosheviçit. Është fakt i keq për të gjithë rajonin që akoma mbetje të Millosheviçit e udhëheqin Serbinë dhe pikërisht për shkak se ende mendësia e njëjtë të viteve të 90’ mbizotëron në Serbi, ata i përdorin të njëjtat metoda që i kanë përdorur edhe në vitet 90’.”








