Zëvendësndihmëssekretari amerikan për Mbrojtje, Politika Evropiane dhe NATO-n, David Baker, po qëndron për vizitë në Kosovë, ku pritet të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të vendit.
Sipas agjendës, Baker do të takohet sot me presidenten Vjosa Osmani në orën 15:00. Presidenca ka njoftuar se mediat do të mund të marrin pamje në fillim të takimit.
Po ashtu, ai do të zhvillojë një takim edhe me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se pritja për zyrtarin amerikan do të bëhet me ceremoni zyrtare, duke filluar nga ora 16:00.
Në njoftimin e saj, Ministria ka theksuar se ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ambasada e ShBA-së në Prishtinë kishte njoftuar të premten se gjatë qëndrimit në Kosovë, Baker do të diskutojë me zyrtarë të lartë për bashkëpunimin në mbrojtje dhe siguri.








