Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, tha se në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve të tjera komplekse, nuk është e mjaftueshme vetëm ndjekja penale.
Sipas tij duhet të bëhet zhvillimi i hetimeve financiare si dhe gjurmimi, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë që buron nga veprimtaria kriminale.
“Pasuria e përfituar në mënyrë të kundërligjshme duhet të gjurmohet, të sekuestrohet dhe të konfiskohet përfundimisht dhe të ardhurat e fituara në mënyrë të kundërligjshme t’i kthehen shtetit dhe të dëmtuarve që kanë pësuar nga veprimtaritë kriminale”, ka deklaruar ndër të tjera Kryeprokurori i Shtetit.
Këto komente, Gashi i bëri në takimin për shkëmbimin e përvojave mbi hetimet financiare, konfiskimin në rastet e korrupsionit dhe funksionet e Zyrës për Rikthimin e Asteve të organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, UNDP, UNODC dhe Instituti i Bazelit për Qeverisje.








