Këngëtarja e njohur shqiptare, Xhensila Myrtezaj, ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram një mesazh të ndjerë, përmes të cilit ka shprehur shqetësimin për gjendjen në Shqipëri dhe sfidat me të cilat po përballen qytetarët.
“Më dhemb ajo që shoh në vendin tim”, shkruan Xhensila në fillim të reagimit të saj, duke u ndalur veçanërisht te të rinjtë që detyrohen të largohen nga Shqipëria në kërkim të një të ardhmeje më të mirë, shkruan Indeksonline.
Ajo shpreh shqetësimin për faktin se të rinjtë po lënë pas ëndrrat e tyre, ndërsa përballen me pasigurinë, zhgënjimin dhe frikën se nesër mund të mos kenë një të ardhme në vendin ku kanë lindur.
Në mesazhin e saj, këngëtarja ka vënë në pah edhe sakrificat e prindërve, të cilët punojnë pa u lodhur për fëmijët e tyre, si dhe vështirësitë e njerëzve që punojnë ndershmërisht, por mezi arrijnë të jetojnë me dinjitet.
“Unë jam artiste. Jam nënë. Por mbi të gjitha jam qytetare e këtij vendi”, shprehet ajo, duke theksuar se nuk dëshiron që fëmijët e saj të detyrohen të largohen nga Shqipëria për të gjetur mundësitë që, sipas saj, duhet t’i kenë në vendin e tyre.
Në fund të reagimit, Xhensila nënvizon se një vend nuk është vetëm toka ku lindim, por edhe shpresa që na jep për të qëndruar.
Ajo kërkon që zëri i qytetarëve dhe i studentëve të dëgjohet dhe të mos shuhet, duke e përmbyllur mesazhin me fjalë të ndjera për vendin e saj:
“Me zemër, me dhimbje dhe me shpresë për Shqipërinë tonë”.









