Në Gjykatën e Apelit të mërkurën u elaboruan ankesat e përfaqësuesit të palës së dëmtuar dhe mbrojtjes ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, me të cilin Valon Aliu u dënua me 24 vjet burgim për vrasjen e ish-bashkëshortes Erona Cokli, në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj në prill të vitit 2024.
Kundër vendimit të Themelores, kishte paraqitur ankesë avokati Jeton Berisha, përfaqësues i palës së dëmtuar, me të cilën kërkoi që të akuzuarit t’i shqiptohet dënim maksimal me burgim të përjetshëm. Pala e dëmtuar ka pretenduar se gjykata e shkallës së parë nuk ka peshuar drejt rrethanat lehtësuese e rënduese për të akuzuarin, duke theksuar pranimin e fajësisë për armëmbajtje pa leje dhe kërkim-faljen, që sipas tij ishte deklarative.
Gjithashtu, ankesë ka parashtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Valon Aliu, avokati Ramadan Sylejmani, i cili tha se kanë kërkuar aprovimin e ankesës për shkak të shkeljeve thelbësore të procedurës penale, duke e cilësuar vendimin si joproporcional dhe duke kërkuar kthimin e çështjes në rigjykim në shkallë të parë.
Ndërsa, gjyqtari referues Skender Çoçaj bëri të ditur se Prokuroria e Apelit ka kërkuar që të aprovohet pjesërisht ankesa e përfaqësuesit të palës së dëmtuar dhe t’i shqiptohet të akuzuarit dënim më të rëndë, kurse ka kërkuar që të refuzohet ankesa e mbrojtjes.
Në këtë seancë, vëllai i viktimës Erona Cokli, Drilon Cokli, përkrahu fjalën e përfaqësuesit të tij duke kërkuar dënim maksimal nga Gjykata dhe duke shtuar se vuajtja e tyre nuk kalon.
“Është e kotë, vitet kalojnë por dhimbja, mungesa e motrës sime do të vazhdojnë gjithmonë. Askush nuk mund të ma kthejë motrën time. Asnjë dënim, asnjë gjë. Por, çfarë dua unë- që të jepet një dënim maksimal, që të vetëdijesohet secili njeri, që duhet ta duajë gruan e vet, ta duajë motrën e vet, nënën e vet edhe të mos vije deri te konflikti apo diçka tjetër”, tha ai.
Ai tha se edhe jeta e tij ishte vënë në rrezik, duke theksuar se nuk ishte e lehtë ta shije burrin e motrës me armë.
“Nga Gjykata e Apelit dua që të jepet një dënim maksimal ndaj të pandehurit”, tha ai.
Vëllai i viktimës shtoi se tani nuk është personi i njëjti person që ishte më parë, derisa theksoi se motra e tij ishte në duart e tij kur plumbi e goditi.
“Qëndroj para jush por nuk jam i lumtur siç isha më parë. E humba motrën time, e kisha në duar t’mija. Një plumb ia shkatërroi jetën dhe ia mori jetën, e kjo ndodhi për shkak të një njeriu, i cili dikur i thoshte se ti je gruaja ime”, ka deklaruar Cokli.
Vëllai i viktimës kërkoi të merret parasysh vuajtja e familjes së tij.
Kurse, i dëmtuari tjetër– babai i viktimës, Gazmend Cokli, po ashtu tha se i akuzuari duhet të marrë dënimin maksimal, ashtu siç e kërkon ligji.
Ndërsa, i akuzuari Aliu i shprehu ngushëllime familjes, duke shtuar se vrasjen nuk e ka kryer me paramendim apo me planifikimin.
Ndryshe, sipas aktakuzës, së ngritur më 04.09 2024 nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i pandehuri Aliu akuzohet se më 12 prill 2024, brenda Zyrës së Qendrës për Punë Sociale, (QPS) në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E.C, me të cilën kishte bashkëjetuar.
Në aktakuzë thuhet se, fillimisht në ditën kritike rreth orës 13:00, sipas marrëveshjes në QPS, i akuzuari e kishte marrë djalin e tij dhe e kishte dërguar në shtëpi për t’ia prerë flokët, kurse është dashur që ta kthente në ora 15:00, mirëpo i pandehuri pas 40 minutave kthehet pa fëmijë në QPS, ku fillimisht bisedon me zyrtaren e kësaj qendre, Q.Z, pastaj del përjashta ku në një lokal pret dhe rreth orës 14:40 minuta vëren tani të ndjerën E.C me vëllain e saj D.C, dhe para tyre në zyrën e QPS-së dhe posa aty mbërrin e ndjera së bashku me vëllain e saj, pas një fjalosje të shkurtër, nxjerr nga brezi armën dhe e qëllon të ndjerën E.C në kraharor.
Tutje, në aktakuzë thuhet se, pastaj i akuzuari Aliu me dashje që ta privoi nga jeta kishte shtënë në drejtim të të dëmtuarin D.C, të cilin e kishte goditur në krahun e djathtë, kurse pasi i dëmtuari duke mbledhur krahët instinktivisht është tkurr, e ndjera E. fillon të largohet në drejtim të dritareve e godet edhe një herë në gjoks dhe në fund e godet në anën e majtë të kokës 3cm mbi laprën e veshit, për pasojë e ndjera ndërron jetë në vendin e ngjarjes.
Për këtë veprim, pandehuri Aliu akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 par 1 nën par 1.3 dhe 1.11 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, i njëjti akuzohet se në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoleta e tipit “ZORAKI M 2906-T” me një karikator të zbrazur e cila më 12 prill 2024, iu është konfiskuar nga Policia.
Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par 1 të KPRK-së.
Gjithashtu, i njëjti akuzohet se më 12 prill 2024, rreth orës 14:40, brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, pasi vret të ndjerën E.C, me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit, seriozisht me përdorimin e armës e kishte kanos të dëmtuarën Q.Z, duke ia vendos armën në ballë dhe i drejtohet me fjalët “shuaj se të gjuj edhe ty“.
Ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181 par 4 lidhur me par 2 të KPRK-së.








