Vdekja e Daorsa Spahija, studentes nga Gjakova e cila dyshohet se i dha fund jetës tragjikisht më 5 nëntor në Tetovë duke u hedhur nga ndërtesa, ka ngritur hije dyshimi.
Shoku i saj Arbër Zhubi pretendon se ajo u vra nga i dashuri. Sipas tij, Daorsa Spahija është shtyrë nga lartësia e ndërtesës nga partneri, ndërsa shprehet se policia në Maqedoni të Veriut ka fshehur të vërtetën.
“Personi pasi ka shtyrë vajzën rreth orës 16:15, ka zbritur poshtë dhe ka konfirmuar vdekjen e shoqes sonë, Daorsës, pra personi Hevzi Sejdiu, më pas, kamerat e sigurisë janë rreth pesë ose gjashtë kamera që përfshijnë hyrjet e apartamenteve, garazhe që kanë pamje të jashtme”, deklaroi ai.
Ai thekson se ky rast është vdekje, e cila është fshehur nga Policia e vendit, dhe është krijuar terreni perfekt që të konsiderohet si vetëvrasje.
“Për shkak që në Maqedoni kanë memorandum që rastet e vetëvrasjeve të mos përmenden në media, kjo krijon edhe rastin perfekt që të mos komentohet nëpër media dhe të orkestrohet paraprakisht me policinë vendore, persona që kanë kryer krimin dhe krimi të mos bëhet kurrë publik”, u shpreh ai.
I dashuri i saj, publikoi në një llogari në rrjetin social Instagram, një video ku ndan disa detaje nga jeta e 24-vjeçares, duke u shprehur se Daorsa ishte në një romancë prej dy vitesh me 31-vjeçarin, por që sipas tij nuk ishte në dijeni që ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë.
“31-vjeçari Hevzi Sejdiu njihet si kriminel në Maqedoni, edhe pse pati tre fëmijë dhe grua u përfshi në jetën e Daorsës, nuk e informoi që ka grua dhe fëmijë, u njoftua me familjen e vet deri në momentin kur u zbulua e vërteta. Hevzi Sejdiu u lirua disa muaj më parë për trafikun e dhjetëra armëve. Nëse ai do të ishte në burg, nuk kishim ardhur në këtë situatë. Ajo u desh të diplomonte më 13 nëntor, nuk diplomoi se një kriminel e ka gënjyer, ai nuk ka treguar që ka familje, të dashur e partnere. U përfshi në jetën e saj dhe kur u kuptua e vërteta, e ka kërcënuar, shantazhuar dhe ia ka rrëmbyer dokumentacionin. Nuk e pati zgjidhjen të shkonte as në stacionin e policisë, kjo ka vazhduar me vite. Mbi 2 vjet lidhje me gjendje mentale të rënduar”, u shpreh ai.









