Gjykata e Korçës ka nxjerrë nga qelia Dritson Kurtin, rasti i së cilit shkaktoi shumë bujë. Ai u arrestua vitin e kaluar pasi solli në jetë një foshnjë me bashkëjetuesen e tij të mitur. Ndaj tij u ngrit akuza e “marrëdhënie seksuale me të mitur”, teksa sot është dhënë vendimi nga Gjykata e Korçës, e cila e ka dënuar me shërbim prove.
Fillimisht prokuroria ka kërkuar shpalljen fajtor të Kurtit, duke kërkuar 7 vite burg, të cilat në aplikim të gjykimit të shkurtuar, shkojnë në 4.8 vite. Ishte po organi i akuzës që i kërkoi gjykatës pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burg dhe vënien e Kurtit në shërbim prove për një periudhë 5 vjeçare.
Avokati i Kurtit, Enea Cenko, u shpreh se klienti i tij nuk është i kënaqur nga ky vendim, pasi sipas tij duhej të shpallej i pafajshëm.
🔊
“Sot ishte një vendim për Dritson Kurtin. Gjykata e Korçës tashmë ka miratuar kërkesën e organit të akuzës që është shprehur për nenin 59 të Kodit Penal. E ka dënuar tashmë dhe gjykata e Korçës me një dënim prej 5 vitesh shërbim prove. Duhet theksuar që kjo gjë nuk na kënaq sepse unë vazhdoj të deklaroj që Dritson Kurti është i pafajshëm. Dua ta ritheksoj këtë fakt sepse nuk duhet të kënaqemi me nenin 59, për arsye sepse një pjesë e mirë e këtij komuniteti të nderuar në Shqipëri, që punojnë, e dashurojnë kulturën e njerëzit e mirë, duhet theksuar që këta si persona martohen që në djep sepse lidhen baballarët me njëri tjetrin dhe martojnë fëmijën që të vogël. Kjo është kultura e tyre, duhet ti respektojmë për këtë, gjithsesi ishte një moment i mirë procedurial që Dritsoni ti bashkohet familjes, të rrijë pranë vajzës së tij të mitur ku ende nuk e ka gëzuar. Duhet theksuar që është një rast që nuk është bërë me kallëzim nga bashkëjetuesja e tij, por është kallëzim i ngritur kryesisht. Edhe ne si mbrojtje kërkuam të aplikohej neni 59 i kodit të procedurës penale”, tha ai.
Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë duke caktuar shërbim prove për Kurtin, për 5 vjet.









