Presidenti amerikan, Donald Trump dhe miliarderi Elon Musk kanë rikthyer marrëdhëniet pas përplasjes së ashpër publike mes tyre në vitin 2025, ndërsa tashmë komunikojnë rregullisht.
Musk ishte një prej aleatëve më të rëndësishëm të Trumpit gjatë muajve të parë të mandatit të tij, kur drejtonte Departamentin për Efiçencën e Qeverisë (DOGE). Megjithatë, marrëdhënia mes tyre u përkeqësua pas mosmarrëveshjeve politike dhe përplasjeve lidhur me politikat e administratës.
Përplasja arriti kulmin kur Musk akuzoi publikisht Trumpin se po pengonte publikimin e dokumenteve lidhur me Jeffrey Epstein, ndërsa Trump kërcënoi me anulimin e kontratave qeveritare të kompanive të miliarderit.
Sipas Wall Street Journal, në përpjekjet për të riparuar marrëdhëniet luajtën rol zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance dhe shefja e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles. Edhe aktivisti konservator Charlie Kirk kishte punuar për afrimin e dy figurave para vrasjes së tij në shtator 2025.
Një moment i rëndësishëm në pajtimin e tyre ishte takimi në ceremoninë përkujtimore të Kirkut, ku Trump dhe Musk u panë duke biseduar dhe shtrënguar duart. Ky ishte kontakti i tyre i parë i rëndësishëm publik pas përplasjes.
Musk gjithashtu ka hequr dorë nga ideja për krijimin e një partie të re politike dhe është zotuar të investojë të paktën 100 milionë dollarë për të mbështetur përpjekjet e republikanëve në zgjedhjet e nëntorit.
Megjithëse marrëdhëniet janë përmirësuar, Trump, sipas këshilltarëve të tij, beson se raporti me Musk nuk do të jetë më aq i afërt sa ishte më parë. Të dy thuhet se flasin rreth një herë në muaj, kryesisht për inteligjencën artificiale, Kinën dhe zhvillimet botërore.








