Ushqyerja e shëndetshme dhe aktiviteti fizik konsiderohen dy nga faktorët kryesorë për ruajtjen e shëndetit dhe zgjatjen e jetës. Megjithatë, nëse do të duhej të zgjidhnim vetëm njërin prej tyre, cili do të kishte ndikimin më të madh në jetëgjatësi?
Sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore Mayo Clinic Proceedings, përgjigjja është aktiviteti fizik. Studiuesit kanë gjetur se lëvizja e rregullt dhe përmirësimi i gjendjes fizike lidhen shumë më fort me uljen e rrezikut të vdekjes sesa cilësia e ushqimit, ka raportuar ScienceAlert.
Studimi është realizuar nga Glenn Gaesser, nga Universiteti Shtetëror i Arizonës, dhe mjeku Robert Sallis, të cilët kanë analizuar dhjetëra studime shkencore për të krahasuar ndikimin e ushqyerjes dhe aktivitetit fizik në jetëgjatësi.
Rezultatet treguan se ushqyerja e dobët lidhej me një rritje të rrezikut të vdekjes prej rreth 3 deri në 20 për qind. Ndërkaq, te personat që nuk kryenin aktivitet fizik dhe kalonin pjesën më të madhe të ditës ulur, ky rrezik ishte nga 46 për qind deri në më shumë se 163 për qind më i lartë.
“Në çdo rast, aktiviteti fizik ose kapaciteti kardiorespirator kishin një lidhje shumë më të fortë me mundësinë për të jetuar më gjatë”, ka shpjeguar studiuesi Glenn Gaesser.
Studimi tregoi gjithashtu se personat që arrinin nga 11 mijë deri në 16 mijë hapa në ditë kishin një rrezik vdekjeje 45 deri në 67 për qind më të ulët, krahasuar me ata që bënin vetëm 2 mijë deri në 5 mijë hapa.
Edhe ndryshimet e vogla në përditshmëri mund të sjellin përfitime të konsiderueshme. Sipas studiuesve, shtimi i rreth 2 mijë hapave në ditë lidhej me një ulje prej 25 deri në 50 për qind të rrezikut të vdekjes.
Po ashtu, për personat që qëndrojnë ulur për shumë orë, shtimi i vetëm 5 deri në 10 minutave aktivitet fizik në ditë lidhej me një ulje prej 30 deri në 42 për qind të këtij rreziku.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ushqyerja e shëndetshme ka rëndësi më të vogël për shëndetin. Sipas analizës, rritja e konsumit të frutave dhe perimeve nga 2.5 në 5 racione në ditë lidhej me ulje prej 13 për qind të rrezikut të vdekjes. Ndërsa konsumimi i më shumë drithërave integrale dhe fibrave lidhej me një ulje prej 6 deri në 20 për qind.
Studiuesit theksojnë se rezultatet bazohen kryesisht në studime vëzhguese, prandaj nuk mund të provohet me siguri se aktiviteti fizik është shkaku i drejtpërdrejtë i uljes së rrezikut të vdekjes.
Ata nënvizojnë se këto gjetje nuk duhet të interpretohen si arsye për të neglizhuar ushqyerjen e shëndetshme. Përkundrazi, të dy faktorët janë të rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit dhe parandalimin e sëmundjeve kronike.
“Shëndeti optimal kërkon pothuajse me siguri ushqyerje cilësore dhe aktivitet fizik të rregullt. Megjithatë, kur bëhet fjalë për jetëgjatësinë dhe uljen e vdekjeve nga sëmundjet kronike, të dhënat tregojnë se aktiviteti fizik është një mjet më i fuqishëm”, përfundojnë studiuesit.









