Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Pejë, ajo në Lipjan si dhe dega e dytë e LDK-së në Prishtinë kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të kësaj partie Lumir Abdixhiku.
Dega LDK-së në Pejë, ka njoftuar se ka mbajtur mbledhjen e kryesisë dhe me shumicë votash kanë kërkuar nga lidershipi i LDK-së, të jap dorëheqje si akt moral, gjegjësisht nga kryetari Lumir Abdixhiku.
Në njoftimin e degës së LDK-së në Pejë, thuhet se kanë vlerësuar që përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.
Lidhja Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje është radhitur sërish e treta me 16.69% të votave.
“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë. Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja”, thuhet në postimin në Facebook.
Edhe kryesia e degës së LDK-së në Lipjan ka mbajtur një mbledhje me kryetarët e nëndegëve për të diskutuar për rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit me ç’rast edhe kjo degë po kërkon dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku.
“Në këtë frymë, pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të secilës qendër votimi në Degën e Lipjanit, si dhe të gjendjes aktuale politike dhe organizative brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”, thuhet mes tjerash në postimin e kësaj dege në Facebook.
Kjo kërkesë e degës së LDK-së në Pejë dhe Lipjan për dorëheqjen e Abdixhikut është shpërndarë nga Arben Gashi i cili ka siguruar votat për të qenë deputet i legjislaturës së 11-të nga radhët e kësaj partie.
Ndërkohë në deklaratën e degës së dytë të LDK-së në Prishtinë, thuhet se partia po kalon një nga periudhat më të vështira në histori.
“Fatkeqësisht, ashtu si Kosova, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës po kalon njërën nga periudhat më të vështira në historinë e saj. Pas humbjeve të njëpasnjëshme, LDK-ja po rrëshqet drejt margjinalizimit politik, duke e betonuar veten në pozitën e tretë dhe duke u shndërruar në një parti pa peshën e duhur politike dhe shtetndërtuese. Ky është një realitet i papranueshëm për partinë e Ibrahim Rugovës dhe një dëm i madh për vetë shtetin e Kosovës”, thuhet në deklaratën e publikuar në Facebook.
Në deklaratë thuhet se kjo situatë kërkon reflektim të thellë, përgjegjësi politike dhe vendime të guximshme.
“Në këtë moment, askush nuk duhet ta përjashtojë veten nga përgjegjësia. Të gjithë duhet të jemi të gatshëm të japim llogari para anëtarësisë dhe qytetarëve: kryetari, kryesia, degët dhe nëndegët. Megjithatë, adresa kryesore e humbjes së tri palë zgjedhjeve të fundit dihet qartë dhe saktë. Prandaj, në këtë situatë kërkohen kurajë, veprim dhe guxim për ta rikthyer fuqinë dhe peshën e LDK-së”, thuhet në deklaratë. “Në këto rrethana, Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë e falënderon kryetarin Lumir Abdixhiku për kontributin dhe angazhimin e tij të deritashëm dhe, njëkohësisht, kërkon që, me përgjegjësi dhe dinjitet politik, të japë dorëheqje dhe t’u hapë rrugë ndryshimeve tashmë të domosdoshme në LDK”, thuhet tuje në deklaratë.








