Tre avokatë munguan, gjykimi u bllokua – dështon seanca ndaj 53 të akuzuarve për Masakrën e Mejës

Ka dështuar të mbahet seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj 53 personave të akuzuar në mungesë për Masakrën e Mejës dhe krimet e kryera në fshatrat e rajonit të Rekës së Keqe.

Shkak për dështimin e seancës është bërë mungesa e tre avokatëve të caktuar sipas detyrës zyrtare për mbrojtjen e të akuzuarve.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, konstatoi se në mungesë të tre mbrojtësve nuk janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e procedurës.

Për shkak se të 53 të akuzuarit po gjykohen në mungesë, secili prej tyre përfaqësohet nga një avokat i caktuar sipas detyrës zyrtare. Në sallën e gjykimit ishin të pranishëm dhjetëra avokatë, por mungesa e tre prej tyre pamundësoi vazhdimin e seancës.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 25 shtator.

Bëhet fjalë për një nga proceset më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë në Pallatin e Drejtësisë, me 53 të akuzuar në mungesë, 53 avokatë të caktuar sipas detyrës zyrtare dhe 43 dëshmitarë.

Prokuroria Speciale i ngarkon të pandehurit me krime lufte kundër popullsisë civile, të kryera në Mejë dhe në fshatrat përreth Gjakovës gjatë vitit 1999.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, në cilësi të drejtuesve dhe pjesëtarëve të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasje, tortura, dhunë fizike dhe seksuale, plaçkitje, shkatërrim të pronave dhe dëbim të popullsisë shqiptare.

Aktakuza është e strukturuar në tri pjesë. Pesë prej të akuzuarve dyshohet se kanë mbajtur pozita të larta komanduese, 11 ngarkohen si udhëheqës të strukturave policore dhe ushtarake, ndërsa 37 dyshohet se kanë qenë ekzekutorë të drejtpërdrejtë të Masakrës së Mejës.

Më 27 prill 1999, forcat serbe rrethuan Mejën dhe fshatrat e Rekës së Keqe. Sipas dosjes së Prokurorisë, burrat dhe djemtë shqiptarë u ndanë nga familjet, u ekzekutuan, ndërsa gratë, fëmijët dhe të moshuarit u dëbuan drejt Shqipërisë.

Trupat e shumë viktimave u bartën më pas në varreza masive në Serbi, në përpjekje për t’i fshehur gjurmët e krimeve.

Të 53 të akuzuarit vazhdojnë të jenë të paarritshëm për autoritetet e Kosovës, prandaj procesi gjyqësor ndaj tyre po zhvillohet në mungesë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit